LAJME / E Enjte 3 Shtator 2026, 10:10

I merret jeta Viktor Bardhit, hkmarrja e “fjetur” e fisit të tyre me atë Reçi (NJOFTIMI I POLICISË)

Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me atentatin e regjistruar mëngjesin e kësaj të enjte në fshatin Ndërfushas të Mirditës. Përmes këtij reagimi autoritetet kanë konfirmuar se rreth orës 09:00, është gjetur i pajetë në automjetin e tij 65-vjeçari Viktor Bardhi.

Ky shtetas dyshohet se është ekzekutuar me armë zjarri brenda mjetit. Pas kësaj ngjarje autori/ët dyshohet se janë larguar dhe më pas kanë djegur automjetin që kishin përdorur në këtë krim.

Mjeti i djegur i cili dyshohet se është përdorur nga autorët u gjet i djegur në zonën e Ndërfushasit. Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po kryen ekspertizën e nevojshme me qëllim për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje dhe po punon për identifikimin e personit ose personave të përfshirë në këtë atentat.

Ende nuk dihen rrethanat e plota dhe dinamika e ngjarjes, por dyshohet se kjo ngjarja ka ardhur si pasojë e sagës së hakmarrjes.

Familja Bardhi, të cilët përdorin dhe mbiemrin Marku, janë të njohur në zonën e Mirditë.s Vite më parë, në shtator të 2023, viktimë e një atentati ra edhe Martin Bardhi, vëllai i Viktor Bardhit, i cili u vra sot me breshëri plumbash.

Ndërkohë që në janar të 2025 pre e një atentati ra edhe nipi i familjes Bardhi, Kristian Marku ose Kristjan Bardhi. Asokohe në Polici u shoqëruan disa anëtarë të familjes Reçi, me të cilin familja Bardhi ka një përplasje prej dekadash.

Burrat e fisit Bardhi po vriten një nga një, ekzekutohet me breshëri plumbash vëllai i Martin Bardhit, i vrarë në 2023 para Komisariatit të Rrëshenit (DETAJE)
Hakmarrja mes dy fiseve, Reçi dhe Marku daton që vite më parë. Pas viteve ’90, rrethi i Mirditës, por kryesisht qyteti i Rrëshenit, dominohej nga dy familje. Reçi dhe Bardhi. Të dyja familje me reputacion në këtë zonë. Në vitin 1995, nisi një përplasje në distancë mes tyre. Familja Bardhi, nisën një konflikt me Ilir Reçin. Iliri aso kohe cilësohej si një prej të fortëve të Rrëshenit dhe ishte kushëriri i Kastriot Reçit.

Përplasjen e fundit, ai e pati me një nga anëtarët e familjes Bardhi. Ilir Reçi i vendosi “ultimatum” që asnjë nga fisi i tij të cilët jetonin në Ndërfushas të mos e kalonin lumin Fan dhe të futeshin në Rrëshen, i cili cilësohej si territori i tyre. Ky urdhër i Ilir Reçit, i shkoi në vesh Pjetër Bardhit, në atë kohë oficer ushtrie, që ishte me shërbim në Shkodër. Ai u nis menjëherë drejt Rrëshenit dhe në qendër të qytetit ekzekuton me armën e shërbimit Ilir Reçin. Pjetër Bardhi u shpall në kërkim dhe u dënua në mungesë për këtë vrasje, por nuk u arrestua asnjëherë dhe nuk bëri asnjë ditë burg.

Që prej aso kohe dy familjet “ranë në qetësi”, deri mbrëmjen e 26 marsit 2023 ku Saimir Reçi, u qëllua me armë zjarri, por arriti t’u shpëtojë plumbave. Policia aso kohe tha se shkak i konfliktit që u pasua me përdorimin e armëve ishte parakalimi me makinë në rrugën kryesore të qytetit. Saimir Reçi dhe Enrik Bardhi kanë zbritur nga automjetet dhe janë përplasur fizikisht me njëri-tjetrin në mes të qytetit. Më pas, Enrik Bardhi ka shkuar në banesë dhe së bashku me të atin, Martin Bardhi kanë marrë një armë zjarri pistoletë dhe kanë qëlluar në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte Saimir Reçi. Autorët kanë qëlluar në një distancë të afërt në anën e shoferit të BMË, por mjeti i blinduar e shpëtoi të riun pa marrë plagë. Atëhere ra në pranga Martin Bardhi, ndërsa u shpallën në kërkim Enrik Bardhi dhe Kristian Bardhi.

Babë e bir u akuzuan për vrasje në bashkëpunim të mbetur në tentativë. Kjo ngjarje duket se u pasua me vrasjen e Martin Bardhit më 26 shtator. Sapo ai doli nga burgu, u ekzekutua paraditen e 26 shtatorit të vitit 2023 me breshëri plumbash në ambientet e lokalit të tij. Për këtë arsye, familja Reçi ishte e dyshuara kryesore për grupin hetimor. U shoqëruan disa pjesëtarë të familjes, edhe pse vetë Sajmir Reçi nuk u gjet ditën e ngjarjes.