
Administratori i platformës së njohur sociale “Antidroga” ka denoncuar publikisht atë që ai e quan një sulm të mirëfilltë politik dhe ekonomik ndaj tij dhe biznesit të tij. Përmes një sërë reagimesh, ai bën me dije se një institucion shtetëror shqiptar ka ndërhyrë pranë platformës ndërkombëtare “Booking.com” për t’i bllokuar apartamentet që lëshoheshin me qira, duke i shkaktuar një dëm të konsiderueshëm financiar.
Bllokimi nga Booking.com dhe dëmi mbi 20 mijë euro
Sipas pamjeve dhe emaileve të publikuara, “Booking.com” e ka njoftuar administratorin se ka marrë një komunikim zyrtar nga një institucion publik shqiptar lidhur me pronën e tij. Për pasojë, si pjesë e procedurave të platformës, janë pezulluar dhe anuluar me efekt të menjëhershëm të gjitha rezervimet aktuale dhe të ardhshme për muajt e verës (qershor, korrik dhe gusht).
“Dua të theksoj se biznesi është plotësisht brenda ligjit, me çdo dokumentacion të rregullt… Dëmi i vërtetë është anulimi i rezervimeve të bëra prej muajsh. Bëhet fjalë për mbi 20.000€ rezervime të humbura, duke goditur drejtpërdrejt një aktivitet privat dhe të ligjshëm,” – sqaron ai në reagimin e tij, duke shtuar se po punohet për zgjidhjen e situatës.
Prapavija politike dhe “patronazhistët”
Për administratorin e “Antidrogës”, ky nuk është një kontroll rutinor i institucioneve, por një sulm i pastër për shkak të qëndrimeve të tij publike. Ai shprehet se ky është një sulm politik dhe ekonomik ndaj një personi që ka zgjedhur të qëndrojë në krah të protestuesve.
Ajo që e bën ngjarjen edhe më të rëndë për të, është fakti se biznesi nuk figuronte në emrin e tij, por të një personi tjetër.
“Këtë informacion e dinë shumë pak njerëz, jo më shumë se 30-40 persona, miq, shokë/shoqe të afërt. Kjo do të thotë se dikush që e njihja personalisht ka vendosur t’ua japë këto të dhëna patronazhistëve dhe njerëzve të lidhur me pushtetin,” – shkruan ai, duke theksuar se kur pushteti nuk të mposht dot me argumente, përpiqet të të godasë ekonomikisht.
Mesazhi i ashpër për “spiunët”: Tradhtia paguhet shtrenjtë
Përtej dëmit financiar dhe sulmit nga institucionet, administratori shprehet i zhgënjyer nga tradhtia e rrethit të tij të ngushtë. Në një paralajmërim të ashpër dhe të drejtpërdrejtë për personin që ka nxjerrë informacionin, ai shkruan:
“Kushdo që ka folur aty ku nuk duhej, le ta dijë se unë nuk ndalem derisa të gjej të vërtetën. Dhe kur emri yt të dalë në dritë, do të rjep për së gjalli. Tradhtia paguhet shtrenjtë.”
Në mbyllje të reagimit të tij, ai bën të qartë se pavarësisht kërcënimeve, presioneve dhe goditjes ekonomike, “Antidroga” nuk ka ndërmend të tërhiqet dhe as të heshtë përballë këtij realiteti, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
