
Urdhri i Infermierit të Shqipërisë ka reaguar me dhimbje dhe trishtim të thellë pas humbjes tragjike të jetës së koleges së tyre, infermieres Dëshira Hoxha, e cila u nda nga jeta si pasojë e një aksidenti automobilistik të ndodhur dje në një zonë malore të Gramshit (26 janar).
“Dëshira Hoxha ishte një profesioniste e përkushtuar, bashkëshorte dhe nënë e tre fëmijëve, e cila për pesë vite me radhë shërbeu me dinjitet, humanizëm dhe përgjegjësi të lartë profesionale ndaj komunitetit të fshatit Kabash, në Bashkinë Gramsh. Përkushtimi i saj ndaj pacientëve dhe misionit fisnik të infermierisë e bëri atë një figurë të respektuar dhe të dashur, si nga kolegët, ashtu edhe nga banorët e zonës ku shërbente”, shprehet Urdhri për të ndjerën.
Në mesazhin e tij zyrtar, Urdhri i Infermierit të Shqipërisë shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e saj, të afërmit dhe kolegët, duke theksuar se “kujtimi dhe vepra e Dëshira Hoxhës do të mbeten të gjalla dhe të paharruara në komunitetin infermieror dhe përtej tij”.
Një humbje e parakohshme që lë pas dhimbje, por edhe një shembull të rrallë përkushtimi dhe humanizmi.
Në aksidentin e djeshëm, pas daljes së kamionçinës nga rruga Gramsh-Poroçan, pranë fshatit Bardhaj, mjeti ra në humnerë me thellësi 70 metra duke u rrokullisur disa herë.
Për pasojë humbi jetën 43-vjeçarja Hoxha dhe u plagosën rëndë mësuesja Albana Boja dhe shoferi Shaban Kotorri, që po trajtohen në spital. Policia Rrugore po vijon hetimet për shkaqet e humbjes së kontrollit të mjetit dhe aksidentit, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
