
68-vjeçari Hysni Patushi, vrau me thikë në gjoks bashkëshorten e tij Lumturie Patushi mëngjesin e sotëm. Ndërkohë mësohet se ai është marrë në pyetje nga grupi hetimor, para të cilëve ka deklaruar se ai dhe bashkëshortja e tij 52-vjeçare kishin konflikte herë pas herë. Teksa shtoi se Lumturie Patushi, qëndronte te shtëpia e vajzës dhe jo në banesën e tyre në “Don Bosko”.
Hysni Patushi, dëshmoi para hetuesve se i kërkonte vazhdimisht bashkëshortes të shkonte në shtëpinë e tyre por ajo nuk pranonte, ndërsa sipas tij e ka telefonuar paraditen e sotme, dhe Lumturie Patushi i ka thënë se ndodhej në një qendër tregëtare. Por 68-vjeçari thotë se ka shkuar dhe e ka gjetur në shtëpinë e vajzës, dhe sipas tij kështu kuptoi se ajo e kishte gënjyer.
“Në debat e sipër e kam goditur me thikë në zemër”, ka thënë ai para policëve.
Kujtojmë se ngjarja u regjistrua mëngjesin e sotëm rreth orës 10:30, në rrugën “Panorama”. Pas krimit, 68-vjeçari është larguar nga vendngjarja, por rreth dy orë më vonë është kapur dhe arrestuar nga blutë e Tiranës në zonën e Kamzës. Por ajo që e bënë ngjarjen edhe më të rëndë është se dyshohet se krimi ka ndodhur në prani të nipit të mitur dhe dhëndrit të çiftit.
Rrethanat e plota të ngjarjes ende nuk janë bërë të ditura. Policia dhe grupi hetimor vijojnë punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe zbardhjen e rrethanave të saj.
