
Deputeti socialist Erion Braçe, sërish ka konfirmuar ambicien e tij për të garuar në Bashkinë e Tiranës, por akoma duket se nuk e ka marrë konfirmimin e kryeministrit dhe kryesocialistit Edi Rama.
Gjatë një interviste televizive në A2CNN, Braçe, ka deklaruar se akoma nuk ka biseduar me kryeministrin, teksa tha që këmbëngul për garimin e tij.
“Pyesni atë. Unë s’e kam marrë përsipër ta pyes. E kam mbështetjen tënde apo jo. S’ kemi bërë këtë bisedë akoma me thënë të drejtën. Por një gjë, një gjë dua, dua ta them. E para gjithë këto vite, pjesë e imja është, është e brendshme kjo gjëja.
Kështu kam lindur. Kokëfortësinë e kam në atë nivel që duhet për të tilla ngjarje, por këmbëngulja është ajo që kam fituar gjatë gjithë këtyre viteve. Mua më intereson të këmbëngul deri për këtë punën që bëj, deri në zgjidhjen e çdo problemi që kam ngritur apo çdo propozimi të bërë për të marrë një përgjigje siç thotë edhe kryeministri qoftë edhe jo ose po në punën që bëj”, tha ai.
Ndërsa po ashtu deputeti socialist tha se garimin ia garantojnë rregullat e brendshme të PS-së.
“Kurse në këtë pikë i referohem kushtetutës edhe rregullave të brendshme të Partisë Socialiste. Individët brenda PS-së nuk operojnë me një sens. Pra që vetëm zgjedhin, po edhe zgjidhen. Thotë kushtetuta dhe rregullorja e brendshme, rregullat e brendshme të PS-së. Pra i kemi të dyja edhe të drejtën për të zgjedhur për t’u zgjedhur. Ky funksionimi me një këmbë i bën dëm partisë, i bën dëm demokracisë së brendshme të partisë. Nuk më bën dëm mua fare, i bën dëm partisë”, deklaroi deputeti.
Gjithashtu deputeti socialist ka deklaruar se nëse ai zgjidhet kryebashkiak, Bashkia e Tiranës mund të përshpejtojë procesin e legalizimit të mijëra objekteve që ende presin zgjidhje.
“T’ju marr çështjen e legalizimit që duhet të jetë një funksion që duhet t’ju kalojë bashkive. Sa më parë të jetë e mundur. Në Tiranë kanë mbetur ende pa legalizuar edhe 50 mijë ndërtesa. Patjetër. Bashkia e Tiranës mund ta bëjë më lehtë edhe shumë më shpejt sesa kadastra këtë punë. Për më tepër që në koncept nuk shkon. Kadastra nuk duhet të jetë ajo që jep titull pronësie. Kadastra duhet të jetë thjesht banka që administron titujt e pronësisë”, u shpreh ai.
