
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Karakavec të Përrenjasit, ku një 69-vjeçar dyshohet se ka tentuar të vrasë bashkëshorten e tij duke i vënë flakën pas një konflikti që ka ndodhur brenda familjes.
Sipas informacioneve paraprake, viktima, një grua 67-vjeçare, ishte prej kohësh viktimë e dhunës në familje. Burime bëjnë me dije se ajo kishte qenë e pajisur me urdhër mbrojtjeje gjatë tre muajve të fundit, për shkak të problemeve të vazhdueshme me bashkëshortin.
Sipas Policisë, i dyshuari, Gani Danga, fillimisht e ka lyer bashkëshorten me benzinë dhe më pas i ka vënë flakën. Pas ngjarjes, 67-vjeçarja është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Elbasanit, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore.
Për shkak të djegieve të pësuara, ajo është transferuar më pas në Repartin e Djegieve në Tiranë për trajtim më të specializuar.
Sipas burimeve spitalore, gjendja e saj është stabile dhe, paraprakisht, raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa mjekët vijojnë ta mbajnë nën kujdes të vazhdueshëm.
Ndërkohë, 69-vjeçari është arrestuar nga Policia menjëherë pas ngjarjes. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë kompetente, e cila pritet të vijojë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të kësaj ngjarjeje të rëndë.
Rasti ka rikthyer në vëmendje shqetësimin për dhunën në familje dhe nevojën për mbrojtje efektive të viktimave, veçanërisht në rastet kur ekzistojnë sinjalizime dhe masa mbrojtëse të vendosura më herët nga institucionet kompetente, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
