LAJME / E Enjte 9 Korrik 2026, 15:03

E PAPRITUR, 40 dite proteste ne shesh, Edi Rama befason fuqishem me vendimin per doreheqje

Teksa protestat kundër projektit të resortit turistik në Zvërnec kanë hyrë në ditën e 40-të kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për një nga mediat më prestigjioze italiane Corriere della Sera.

Në një intervistë të gjatë, kreu i qeverisë ka komentuar jo vetëm zhvillimet e fundit në vend, por edhe akuzat e opozitës, kërkesat për dorëheqjen e tij, debatin mbi projektin e shumëdiskutuar në Zvërnec dhe ndikimin që sipas tij po ushtrojnë rrjetet sociale te opinioni publik.

Rama shprehet se protestat, të cilat nisën si një reagim qytetar ndaj mundësisë së ndërtimit të një resorti luksoz pranë zonës së mbrojtur të Zvërnecit, kanë ndryshuar “qëllimin” me kalimin e javëve. Sipas tij, ato nuk janë më vetëm një lëvizje për mbrojtjen e mjedisit, por janë shndërruar edhe në një betejë politike kundër qeverisë.

Kryeministri thekson se në fillim i ka parë protestat vërtet si një mënyrë që qytetarët ishin duke shprehur shqetësimin e tyre, duke i krahasuar me protestën studentore të vitit 2018, ndërsa shton se ka dëgjuar dhe vazhdon të dëgjojë zërin e qytetarëve. Megjithatë, sipas tij situata ka marrë një tjetër dimension, pasi në protestë janë përfshirë aktorë politikë dhe rrjete që sipas Ramës synojnë të godasin qeverinë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve për presionin politik dhe kërkesat për të bllokuar projektin, kryeministri është shprehur prerazi: “Jo. Nuk kam frikë as nga administrata amerikane, as nga rrjetet sociale, as nga turma. Kam një përgjegjësi ndaj Shqipërisë.”

Në të njëjtën linjë, Rama ka reaguar edhe ndaj thirrjeve për dorëheqjen e tij, duke theksuar se legjitimiteti në një demokraci buron nga vota e qytetarëve dhe jo nga presioni i protestave.

KM: Me kalimin e javëve protesta ka ndryshuar natyrë. Sot nuk është më vetëm një shqetësim qytetar për mjedisin. Është edhe një protestë politike, e marrë në dorë nga një koalicion opozitar, aktorë politikë dhe rrjete nga jashtë, që kanë një objektiv të përbashkët: të godasin qeverinë. Këtu ka edhe një dimension global.

KM: Emri Trump nuk është thjesht emri i një investitori në këtë histori, është burimi më i madh i indinjatës digjitale në botë. Kudo që përmendet Trump, aktivizohen automatikisht ushtri politike, mediatike dhe digjitale pro dhe kundër tij. Shqipëria, për shkak të këtij projekti, është kthyer papritur në një arenë të vogël ku përplasen anti-trumpistët globalë me Trumpin, ndërsa debati i vërtetë shqiptar për mjedisin, zhvillimin dhe ligjin shpesh mbytet nga kjo zhurmë e importuar. Kjo nuk zhvlerëson asnjë qytetar të sinqertë që proteston. Por unë kam detyrimin të dalloj qytetarin që shqetësohet për natyrën nga fabrikat e histerisë që kërkojnë ta përdorin Shqipërinë si skenë për betejat e tyre.

Protestuesit kërkojnë që qeveria ta ndalojë projektin në Zvërnec, të lidhur me familjen Trump.

KM: Qeveria nuk ka asgjë për të ndalur, sepse ende nuk ekziston një projekt përfundimtar. Nuk ka leje ndërtimi. Nuk ka kantier. Nuk ka një vendim përfundimtar për të cilin mund të thuhet: ndalojeni. Të kërkosh anulimin e një projekti që ende nuk ekziston në formën e tij përfundimtare është një kërkesë politike, jo një vendim qeveritar. Një qeveri serioze nuk vepron mbi fantazi, por mbi dokumente, ligje, studime dhe standarde.

KM: Po presim projektin përfundimtar. Dhe shpresoj që të jetë një projekt i jashtëzakonshëm, me arkitektë, urbanistë, inxhinierë mjedisi, ekspertë të biodiversitetit dhe standardet më të larta evropiane. Ambicia ime nuk është që të bëhet ‘edhe një resort’, por një model i ri zhvillimi ku turizmi dhe natyra nuk përjashtojnë njëri-tjetrin.

Pse i rezistoni idesë së bllokimit? Keni frikë nga administrata amerikane?

KM: Jo. Nuk kam frikë as nga administrata amerikane, as nga rrjetet sociale, as nga turma. Kam një përgjegjësi ndaj Shqipërisë. Kriteri nuk do të jetë emri i investitorit dhe as zhurma globale pro ose kundër Trumpit. Kriteri do të jetë vetëm një: a i plotëson projekti standardet ligjore, mjedisore, arkitekturore dhe strategjike që meriton Shqipëria evropiane? Nëse po, do të vazhdojë. Nëse jo, nuk do të vazhdojë. Pikë.

Keni përdorur terma fyes ndaj protestuesve. Nuk është një reagim normal…

KM: Nëse ndonjë fjalë e imja ka lënduar njerëz të sinqertë që protestojnë nga shqetësimi për natyrën, e them pa asnjë vështirësi: më vjen keq. Por nuk pranoj të barazoj qytetarët e sinqertë me fabrikat e baltës, propagandën politike, llogaritë anonime, shpifësit, kërcënuesit dhe prodhuesit e histerisë. Me të parët flas. Me të dytët përballem.

Ju thoni se njerëzit janë të keqinformuar. Cila është e vërteta?

KM: E vërteta është shumë më e thjeshtë se legjenda. Nuk ka nisur asnjë ndërtim. Nuk ka shitje të Sazanit. Nuk ka betonizim të lagunës. Nuk ka asgjë nga apokalipsi që qarkullon çdo ditë në rrjetet sociale. Ka një proces të mundshëm zhvillimi turistik, i cili do të shqyrtohet vetëm mbi bazën e ligjit, studimeve mjedisore dhe standardeve ndërkombëtare. Po, ambicia jonë është që çdo zhvillim atje jo vetëm të mos dëmtojë mjedisin, por t’i sjellë atij një përfitim të matshëm.

Nuk do të ishte më e arsyeshme ta ndalonit projektin, duke parë reagimin popullor?

KM: Reagimi popullor duhet dëgjuar. Por shteti nuk mund të qeveriset me telekomandën e rrjeteve sociale. Nëse çdo proces ndalet sapo krijohet një stuhi digjitale, atëherë nuk kemi më ligj, ekonomi apo institucione. Kemi vetëm frikë. Dhe frika nuk është politikë publike.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen tuaj dhe që të mos rikandidoni.

KM: Dorëheqjet, në demokraci, nuk vendosen nga megafonët, por nga institucionet dhe qytetarët me votë. Unë kam një mandat të qartë. Kush mendon se duhet të largohem ka të drejtë të organizohet, të garojë dhe të fitojë zgjedhjet. Kjo është demokracia. Ultimatumi nuk është demokraci.

Keni fituar zgjedhjet, por pakënaqësia ekziston.

KM: Fitorja nuk është vaksinë kundër pakënaqësisë. Mandati nuk është licencë për vetëkënaqësi. Kur një vend përmirësohet, qytetarët bëhen më pak tolerantë ndaj asaj që ende nuk funksionon. Rrugët më të mira i bëjnë gropat më të bezdisshme. Shërbimet më të shpejta e bëjnë çdo vonesë më të padurueshme. Lufta kundër korrupsionit e bën çdo skandal më të papranueshëm. Kjo është ‘revolucioni i pritshmërive në rritje’. Detyra jonë është të dëgjojmë më mirë, të shpjegojmë më qartë dhe të korrigjojmë më shpejt.

Këto protesta janë më shumë kundër projektit apo kundër qeverisë?

KM: Lindën si shqetësim për projektin. Sot janë edhe protestë politike kundër qeverisë. Kjo nuk është problem. Opozita ka të drejtë të protestojë. Problemi lind kur mjedisi përdoret si kostum për një betejë pushteti që nuk ka të bëjë fare me flamingot, lagunën apo ligjin.

Keni folur për ndërhyrje të huaja. Keni prova?

KM: Po flas për ndërhyrje digjitale, jo për qytetarët që dalin në bulevard. Janë dy gjëra të ndryshme. Kemi parë amplifikim artificial nga jashtë, përdorim masiv të VPN-ve, llogari anonime, platforma të lidhura me ekosisteme propagandistike dhe aktorë keqdashës. Institucionet do të bëjnë raportin e tyre. Por dua të jem i qartë: ndërhyrja e huaj nuk e zhvlerëson protestën e qytetarëve të sinqertë. Thjesht tregon se shqetësimet e tyre po përdoren nga të tjerë për qëllime të tjera.

A nuk jeni përqendruar më shumë te imazhi i Shqipërisë jashtë vendit sesa te problemet e brendshme?

KM: Imazhi i Shqipërisë jashtë nuk është kozmetikë. Është ekonomi, investime, turizëm, diplomaci, siguri dhe respekt për shqiptarët. Por po, problemet e brendshme nuk zgjidhen me flamuj në samite ndërkombëtare. Pensionet, shëndetësia, pronësia, drejtësia e përditshme dhe shërbimet publike janë fusha ku ka ende shumë për të bërë. Nuk e mohoj.

Çfarë u përgjigjeni akuzave për korrupsion, pensione të ulëta, shëndetësi të dobët dhe mungesë perspektive për të rinjtë?

KM: Nuk i quaj të gjitha akuza. Disa janë probleme reale. Pensionet janë ende të ulëta. Shëndetësia ka ende plagë të hapura. Pasiguria juridike nuk zhduket me një ligj. Të rinjtë kërkojnë më shumë dhe kanë të drejtë. Por Shqipëria e sotme nuk është ajo e djeshmja. Pagat janë rritur. Punësimi është rritur. Ekonomia është më e fortë. Drejtësia po prek të paprekshmit. Vendi është më pranë Bashkimit Evropian se kurrë. Kjo nuk mjafton. Por nuk është pak.

Transparency International e rendit Shqipërinë ndër vendet më të korruptuara të Europës. Kush mban përgjegjësi?

KM: Nuk impresionohem nga raportet e bazuara në perceptime. Raporti që marr më seriozisht është Raporti i Progresit i Komisionit Evropian. Ka një fakt që flet më shumë se perceptimet: për herë të parë në Shqipëri drejtësia heton ministra, kryetarë bashkish, deputetë, biznesmenë dhe njerëz të fuqishëm. Kjo nuk është fundi i korrupsionit, por fillimi i fundit të paprekshmërisë. Është një ndryshim historik.

Vazhdoni të ruani mbështetje elektorale. Është meritë e qeverisë apo dobësi e opozitës?

KM: Të dyja. Do të ishte arrogancë të thosha vetëm të parën dhe hipokrizi të mohoja të dytën. Por askush nuk fiton kaq gjatë vetëm falë dobësisë së kundërshtarit. Njerëzit mund të jenë të pakënaqur me shumë gjëra, por dinë të dallojnë një forcë që punon, gabon, korrigjohet dhe ecën përpara nga një opozitë që shpesh jeton më shumë nga urrejtja ndaj meje sesa nga një projekt për Shqipërinë.

Meqë ra fjala, kush është lideri i opozitës?

KM: Këtë duhet ta thotë opozita, jo unë. Unë nuk emëroj liderët e saj. Problemi është se opozita ka më shumë pretendentë për fronin e zemërimit sesa bartës të një projekti qeverisës. Por ky është problemi i saj.

Keni frikë se protestat do të dëmtojnë sezonin turistik?

KM: Jo për shkak të protestës. Një vend ku njerëzit protestojnë lirisht është një vend demokratik, jo një vend i rrezikshëm. Shqetësimi im është imazhi i rremë që prodhon histeria digjitale, sikur Shqipëria të ishte në kaos, sikur të digjej, sikur të mos kishte institucione. Kjo nuk është e vërtetë. Shqipëria është e hapur, e sigurt dhe ky sezon do ta tregojë sërish.

A mund të ngadalësohet procesi i integrimit në BE?

KM: Jo. Protesta paqësore nuk e dëmton procesin. Përkundrazi, tregon një shoqëri të lirë. Ajo që do ta dëmtonte procesin evropian do të ishte zëvendësimi i shtetit të së drejtës me presionin e rrugës ose rikthimi i dezinformimit si politikë publike.

Çfarë zgjidhjeje u propozoni protestuesve?

KM: Transparencë, dialog dhe fakte. Zgjidhja nuk mund të jetë: ‘ndalo gjithçka sepse e them unë’. Zgjidhja është: verifiko gjithçka, korrigjo atë që duhet korrigjuar, ndalo atë që është në kundërshtim me ligjin dhe interesin publik dhe lejo atë që i shërben vendit.

Disa thonë se nuk ka më dallim mes Partisë Socialiste dhe shtetit.

KM: Kjo është një tezë politike, jo një fakt. Shqipëria ka institucione. Ka një drejtësi që merr vendime kundër njerëzve të qeverisë dhe kundër vetë qeverisë. Ka media ku shumica dërrmuese e përmbajtjes është kritike ndaj qeverisë. Ka një opozitë që proteston para zyrës sime. Ka zgjedhje që certifikohen nga shqiptarët. Formula ‘partia është shteti’ është propagandë e lehtë për një realitet shumë më kompleks.

Ka diçka që mendoni se mund ta kishit menaxhuar më mirë gjatë këtij muaji protestash?

KM: Sigurisht që ka gjëra që mund të ishin bërë më mirë. Gjithmonë ka. Por nuk pendohem që nuk bëra atë që kërkonte turma digjitale: të shpallja fajtor një proces pa pasur prova dhe të ndaloja një projekt para se ai të ekzistonte. Detyra ime nuk është të jem i pëlqyer në çdo moment. Detyra ime është të mbroj ligjin, interesin publik dhe të ardhmen e Shqipërisë, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE