LAJME / E Enjte 17 Shtator 2026, 22:10

E FUNDIT/ U dënua më 25 vite burg nga Gjykata Speciale, reagon Hashim Thaçi për herë të parë pas vendimit, ja çfarë shkruan

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas verdiktit të 16 shtatorit nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen që ka marrë nga populli i Kosovës dhe faktori ndërkombëtar.

Përmes kryeavokatit të tij, Luka Misetiç, Thaçi u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të ruajnë qetësinë pas vendimit të djeshëm dhe i ka njoftuar se do ta apelojnë vendimin.

“Hashim Thaçi dëshiron të shprehë mirënjohjen e tij të sinqertë për mbështetjen e madhe që ai, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë marrë nga populli i Kosovës dhe nga faktori ndërkombëtar, si dhe u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të ruajnë qetësinë në përgjigje të padrejtësisë së djeshme”, shkruan Luka Misetiç.

Mbrojtja e Thaçit shprehet se gjatë procesit gjyqësor ka pasur gabime të rëndësishme ligjore dhe faktike. Sipas avokatëve, gjatë gjykimit janë ngritur vazhdimisht shqetësime lidhur me drejtësinë procedurale dhe mënyrën e ndërhyrjeve të anëtarëve të Panelit të Gjykimit gjatë seancave.

Një tjetër pikë e kundërshtimit lidhet me rastin e Behajdin Allaqit. Sipas mbrojtjes, Paneli i Gjykimit deklaroi publikisht se Thaçi ishte i përfshirë në vrasjen e Allaqit, ndërkohë që më herët kishte urdhëruar që çështja të mos diskutohej në seanca publike dhe provat përkatëse të mbaheshin konfidenciale.

Mbrojtja pretendon se një situatë e tillë ka cenuar të drejtën e Thaçit për një gjykim të drejtë dhe se provat mbi të cilat është bazuar ky konkluzion duhet të jenë objekt i shqyrtimit publik.

“Mbrojtja do t’i apelojë vendimet e Panelit të Gjykimit për shkak të shkeljes së të drejtave të tij themelore për një gjykim të drejtë, sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutës së Kosovës. Z. Thaçi mohon kategorikisht çdo përfshirje në vrasje“, shkruan ndër të tjera avokati.

Luka Misetic: Hashim Thaçi dëshiron të shprehë mirënjohjen e tij të sinqertë për mbështetjen e madhe që ai, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë marrë nga populli i Kosovës dhe nga faktori ndërkombëtar, si dhe u bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të ruajnë qetësinë në përgjigje të padrejtësisë së djeshme.

Avokatët e z. Thaçi do ta apelojnë vendimin e djeshëm të gjykimit para Panelit të Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), duke pretenduar se ka pasur gabime të rëndësishme ligjore dhe faktike që kanë cenuar drejtësinë e procesit gjyqësor.

Gjatë gjithë gjykimit, mbrojtja ka ngritur vazhdimisht shqetësime lidhur me drejtësinë procedurale, përfshirë shtrirjen e gjerë të pyetjeve të bëra drejtpërdrejt nga anëtarët e Panelit të Gjykimit, në një mënyrë që nuk krijonte përshtypjen e paanshmërisë. Mbrojtja pohon se ndërhyrjet gjyqësore e kaluan kufirin e kërkimit neutral të së vërtetës, duke cenuar përshtypjen e paanshmërisë që kërkohet sipas standardeve ndërkombëtare të drejtësisë. Kjo mungesë paanshmërie tani reflektohet në vendimin e Panelit të Gjykimit.

Mbrojtja argumenton se konstatimet e Panelit të Gjykimit për fajësinë “përtej dyshimit të arsyeshëm” mbështeten në prova të pamjaftueshme dhe të pakonfirmuara. Për më tepër, dje Paneli i Gjykimit pretendoi publikisht se z. Thaçi ishte i përfshirë në vrasjen e Behajdin Allaqit, pasi më parë kishte urdhëruar të gjitha palët në çështje që të mos diskutonin për rastin e z. Allaqi në seancë publike dhe pasi kishte urdhëruar që të gjitha provat lidhur me atë rast të mbaheshin konfidenciale.

Kështu, Paneli i Gjykimit e ka shpallur publikisht z. Thaçi fajtor për një vrasje, ndërkohë që provat mbi të cilat u bazua ky përfundim i ka mbajtur të fshehura nga shqyrtimi publik. Z. Thaçi do ta mirëpriste një shqyrtim të tillë publik të provave.

Mbrojtja do t’i apelojë vendimet e Panelit të Gjykimit për shkak të shkeljes së të drejtave të tij themelore për një gjykim të drejtë, sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetutës së Kosovës. Z. Thaçi mohon kategorikisht çdo përfshirje në vrasje.

Respektimi i standardeve rigoroze të drejtësisë procedurale është thelbësor për ruajtjen e besimit të publikut te institucionet ndërkombëtare penale. Mbrojtja do të dorëzojë zyrtarisht Njoftimin e Apelit para Panelit të Apelit, me qëllim korrigjimin e këtyre gabimeve faktike, ligjore dhe procedurale.