
Bëhet fjalë për Aluadin Malajn, ish kryetar i Gjyaktës së Apelit Tiranë, cili ia mbathi nga drejtësia nga frika e përballjes me Vetingun, duke evituar ekspozimin e pasurisë dhe lidhjeve të mundshme me krimin. Disa fakte dhe rrethana ngrenë dyshime të forta se Alaudin Malaj është pjesë e grupit të Artur Shehut.
SPAK finalizoi dje fazën e parë të goditjes së grupit më të fuqishëm të trafikut të drogës, pastrimit të parave në ndërtim dhe tjetërsimit të pronave në bregdet, përfshirë edhe tokat ku pritet të ndërtohet resorti në Zvërnec.
Gjykata e Posaçme miratoi të premten 20 urdhër-arreste për veprat penale të pastrimit të parave, grupit të strukturuar kriminal si dhe trafikut ndërkombëtar të drogës; përfshirë Artur Shehun, dy biznesmenët e mëdhenj të ndërtimit në Tiranë, Ilir Shtufi dhe Orest Sota si dhe persona të tjerë të lidhur me trafikun e drogës apo transaksionet me tokat.
Pasuria e sekustruar arrin deri më tani rreth 130 milionë euro, shifra më e madhe në historinë e SPAK dhe organit të akuzës në 35 vite pluralizëm. SPAK e ka ngritur stekën aq lart saqë me goditjen e këtij grupi mund të ketë edhe një krizë ndërtimi në Tiranë. Përpos 20 personazheve që SPAK i ka kërkuar GJKKO të arrestohen, rezultojnë të implikuar një oligark, i cili del në dosjet kryesore të SPAK-ut, ish ministra, deputetë, ish drejtorë, ish gjyqtarë etj., të cilët mund të goditen penalisht në një fazë të dytë.
Në dosjen e tjetërsimit të pronave në Zvërnec dalin edhe gjurmët e një ish gjyqtari, i perceptuar si një nga simbolet e korrupsionit në drejtësi. Bëhet fjalë për Aluadin Malajn, ish kryetar i Gjyaktës së Apelit Tiranë, cili ia mbathi nga drejtësia nga frika e përballjes me Vetingun, duke evituar ekspozimin e pasurisë dhe lidhjeve të mundshme me krimin. Disa fakte dhe rrethana ngrenë dyshime të forta se Alaudin Malaj është pjesë e grupit të Artur Shehut.
Si gjyqtar, Alaudin Malaj ka marrë dy vendime në favor të Artur Shehur dhe grupit të tij për pronat në Zvërnec, ku në këmbim dyshohet se ka marrë mijëra m2 tokë, në formë dhurimi ose blerje me çmim simbolik. Më konkretisht, në pronësi të kompanisë AL – GO shpk, me nipt M37202204U, rezultojnë 20400 m2 tokë në Zvërnec.
Kompania AL – GO shpk është themeluar nga Agron Malaj në shtator të vitin 2023. Agron Malaj është vëllai i ish gjyqyarit Alaudin Malaj. Në mars të vitit 2025, Agron Malaj i ka dhuruar 50 % të aksioneve të kompanisë Alteo Malajt, i cili është i biri i ish gjyqtarit Alaudin Malaj. Në vijim, Agron dhe Alteo Malaj rrisin kapitalin e kompanisë nga 100 euro në 670 mijë euro.
Në 2 qershor të 2026, pasi SPAK kreu veprime të tjera hetimore për tjetërsimin e pronave në Zvërnec, djali i Alaudin Malajt largohet nga kompania AL – GO shpk, duke i dhuruar 50 % të aksioneve Agron Malajt. Ka dyshime të forta se largimi nga kompania është një lëvizje e Alaudin Malajt nga frika e SPAK për të fshehur gjurmët e tij në tjetërsimin dhe përfitimin e pronave në Zvërnec.
AL – GO shpk nuk është kompania e vetme që Alaudin Malaj ka përfituar prona në Zvërnec, ndërsa mister mbetet edhe përfitimi i një vile me vlerë qindra mijëra euro në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Në pronësi të kompanisë AM-Invest shpk rezultojnë 25 mijë m2 tokë në zonën e Zvërnecit, ku planifikohet të ndërtohet resorti luksoz. Kjo kompani është në pronësi të familjes së Alaudin Malajt, ish-kryetarit të Gjykatës së Apelit Tiranë. Ish-gjyqtari zotëron 25% të aksioneve, të dhuruara nga nëna e tij, ndërsa pjesa tjetër kontrollohet nga babai dhe vëllai i tij.
Malaj ka një histori me pronat në këtë zonë, pasi ka dhënë dy vendime lidhur me to. Një vendim civil në vitin 2013, që i njohu familjes Shehu 156 hektarë tokë në këtë zonë, duke përmbysur vendimin e Shkallës së Parë; si dhe një vendim penal në vitin 2019, ku ai, në cilësinë e relatorit – në një trup gjykues ku bënin pjesë edhe ish-gjyqtari Agim Bendo e ish-gjyqtarja Shpresa Beçaj – pushoi çështjen për falsifikim dokumentesh ndaj Pëllumb Petritajt. Të dyja këto vendime u kthyen për rigjykim nga Gjykata e Lartë, e cila konstatoi probleme në arsyetim. Të dy vendimet kanë lidhje me Artur Shehun dhe grupin e tij. Pëllumb Petritaj është dora e Artur Shehut për tjetërsimin e pronave në Vlorë.
Ka dyshime të forta se në këmbim të këtyre vendimeve, Alaudin Malaj të ketë marrë sipërfaqe toke nga Artur Shehu. Malaj dha dorëheqjen në vitin 2020 dhe u përjashtua nga sistemi i drejtësisë nga procesi i vetingut në shkurt 2021. Me rreth 1.7 milionë euro pasuri të deklaruar, ai konsiderohej një nga gjyqtarët më të pasur në Shqipëri. Gjatë procesit të vetingut, Malaj pretendoi se po bëhej viktimë e një komploti.
‘Samiti’ i Arubës dhe Zvërneci
Detajet e takimeve të Artur Shehut në Majorka, Gjermani, Aruba dhe Belgjikë u zbuluan dhe u vëzhguan nga një hetim evropian i vitit 2019 mbi aktivitetet kriminale të “Klanit Osmani”.
Dokumentet theksojnë se midis 24 dhe 31 janarit 2019, në ishullin e Arubës u zhvilluan vëzhgime të disa takimeve mes një grupi shqiptarësh të përfshirë në narkotrafik.
Qëllimi i këtyre udhëtimeve ishte i dyfishtë, sipas dosjes së prokurorisë. Nga njëra anë, planifikohej logjistika e karteleve, ku në dosjen hetimore të dërguar nga autoritetet spanjolle theksohet se personat e përfshirë planifikonin “blerjen, transportimin dhe futjen e sasive të mëdha të drogës në Evropë”.
Nga ana tjetër, Aruba shërbeu si pikënisje për investimet në Shqipëri, që sipas hetuesve belgë të referuar nga SPAK kishin mbështetje politike në Tiranë.
Dokumentet belge nënvizojnë se “këto takime duket se kanë të bëjnë me projekte pasurish të paluajtshme në Shqipëri, potencialisht të financuara me fonde të paligjshme, me mbështetjen e autoriteteve politike”.
Për të injektuar këto shuma marramendëse të fituara nga trafiku në ekonominë e ligjshme, grupi ngriti një skemë klasike, por masive, të pastrimit të parave. Faza e parë, ajo e “vendosjes”, realizohej përmes transferimit të parave të drogës me sisteme alternative si rrugët fizike ose sistemi “haëala”.
Më pas vinte manipulimi i pronësisë. Një nga mjetet më flagrante ishte përdorimi i dokumenteve historike të falsifikuara. Për tokat në Zvërnec u përdor “Regjistri Daimi i vitit 1318, nr. rendor 47”, një dokument në gjuhën osmane që pretendohej se e bënte një paraardhës të tyre, Seit Ahmet Shehu, pronar të mijëra metrave katrorë pyll dhe kullotë. Proceset gjyqësore vërtetuan më vonë se ky dokument i paraqitur për kthimin e pronave ishte tërësisht i manipuluar dhe i përkthyer qëllimisht gabim.
Pasi pronat “fitoheshin”, ato i nënshtroheshin një procesi të gjatë shtresëzimi. Dosja shpjegon se pastrimi bëhej përmes “copëzimeve të shumta të tyre dhe më pas tjetërsimeve të tyre, në format e blerjes, shkëmbimit apo formave të tjera, me qëllim vështirësimin e gjurmimit”. Hapi final ishte dhënia e këtyre trojeve për “subjektet zhvilluese ndërtuese, në marrëveshje ndërmjet tyre, duke integruar dhe përzier në këtë mënyrë të ardhurat e paligjshme me ato të ligjshme”. Ky modus operandi, sipas Prokurorisë, ka lënë gjurmë në projekte gjigante si vilat në Palasë dhe godina polifunksionale “Garden Building” në rrugën e Kavajës në Tiranë.
Hetimet tregojnë se i ashtuquajturi “samiti i Arubës” ka vendosur fatet e dhjetëra projekteve, që janë tashmë pjesë e dukshme apo fytyra e Tiranës dhe bregdetit të Shqipërisë.
Nga Zvërneci te kullat e Tiranës
Në dokumentet e SPAK, takimet, bisedat e koduara dhe transaksionet e pronave lidhen në një skemë të vetme, ku pasuritë e dyshuara si të përfituara përmes falsifikimeve apo parave të trafikut futeshin më pas në ciklin e ndërtimit.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, personat nën hetim përdornin “falsifikimin e dokumenteve të përfitimit të pronësisë duke krijuar pronësi të pavërtetë ose duke shtuar sipërfaqet e pronësisë”. Ata kryenin më pas copëzimet e shumta të tyre dhe tjetërsimin, në format e blerjes, shkëmbimit apo dhurimit, me qëllim vështirësimin e gjurmimit.
Tokat u jepeshin më pas subjekteve zhvilluese dhe ndërtuese, duke integruar dhe përzierë në këtë mënyrë të ardhurat e paligjshme me ato të ligjshme.
Kjo mënyrë veprimi, sipas dosjes, shfaqet në truallin pranë stadiumit “Air Albania”, në rrugën “Dervish Hima”, ku prokuroria thotë se veprimet janë kryer nga Adrian Rama, Artur Shehu, Elton Memeti, Alfredo Hamzai dhe Ardian Zykaj “të paktën nga vitet 2017 e në vijim”. E njëjta skemë, sipas SPAK, shtrihet edhe në vilat e kompleksit “Green Coast” në Palasë, në tokat e përdorura për ndërtimin e këtij kompleksi, në projektet e ndërtimit në Tiranë, si dhe në shoqëri ndërtimi apo kompani të lidhura me personat nën hetim.
Për pronat në Zvërnec, prokuroria është edhe më e drejtpërdrejtë. Në kërkesën e pranuar nga GJKKO, ajo thotë se nga hetimet kanë dalë “dyshime të arsyeshme të bazuara në prova” se pasuritë aty “janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme, nëpërmjet falsifikimeve”. Sipas dosjes, këto prona dyshohet se janë përfituar “duke përdorur dokumente të falsifikuara”, si për njohjen e pronësisë nga institucionet shtetërore, ashtu edhe për regjistrimin e saj për efekt trashëgimie.
Në vendim përmendet edhe dokumenti i shumëpërfolur i njohur si “Regjistri i Daimit”, për të cilin Gjykata e Lartë, sipas prokurorisë, ka konfirmuar në arsyetimin e saj se “ka rezultuar i falsifikuar”. Prokuroria shton se toka në Zvërnec dyshohet të jetë zhvendosur drejt bregdetit dhe se mënyra e kalimit të saj tek Artur Shehu përmes shitjeve e shkëmbimeve tregon “mënyrën se si ky shtetas ka përfituar toka të shumta”, me qëllimin e mëvonshëm të shitjes apo investimeve.
Për këtë arsye, GJKKO vendosi sekuestro preventive mbi shumat e krijuara nga transaksioni me kompaninë “Albania Land Development” të administruar nga Redi Struga dhe në pronësi të dy vëllezërve nga Katari, Al Khayyat.
Shuma e sekuestruar në këtë vendim është 128,354,437 euro, e ndarë në tre pagesa dhe bllokimi i menjëhershëm u miratua nga gjykata me argumentin se: “ekziston një rrezik i lartë dhe konkret që këto pasuri të tjetërsohen, asgjësohen apo të transferohen te të tretë”./Prapaskena, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
