LAJME / E Martë 16 Qershor 2026, 21:09

Dokument/ Zvërneci, Zvërneci, por në Darëzezë po bëhet e famshme: Qeveria ka miratuar betonimin e 110 hektarëve të bregdetit

Ndërsa protestat janë përqendruar te projekti i Zvërnecit, qeveria ka miratuar një tjetër megaprojekt në bregdet, i cili parashikon betonimin e 110 hektarëve në zonën e fundit të paprekur të Adriatikut shqiptar…

Ndërkohë që protestat kanë vazhduar prej dy javësh kundër projektit të ndërtimit në Zvërnec, qeveria ka miratuar gjithashtu betonimin e vijës bregdetare të Darëzezës në Fier, midis dy grykëderdhjeve të lumenjve Vjosa dhe Seman në det.

Në pjesën qendrore të 21 kilometrave të vijës bregdetare Adriatike në Darëzezë, kryeministri Edi Rama ka vendosur që fillimisht të betonojë 110 hektarë tokë shtetërore dhe, rrjedhimisht, të zërë një pjesë të konsiderueshme të hapësirës publike të plazhit, të cilën do t’ua dorëzojë kompanive private me të cilat ka bërë marrëveshjet përkatëse.

Zona bregdetare e Darëzezës është e vetmja pjesë e habitatit natyror të paprekur nga betoni në Ultësirën Perëndimore të Shqipërisë.


Por prej më shumë se një viti, lakmia për ndërtim e ka përfshirë këtë zonë në listën e objektivave për betonim, nën maskën e zhvillimit të turizmit dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve.

Ky projekt u miratua nga vetë Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Territorin dhe Ujërat, më 18 prill 2025, ku pika e parë e rendit të ditës ishte pikërisht “Zhvillimi turistik i bregdetit të Darëzezës”.

Vendimi nuk pasqyron detaje konkrete, por burime të informuara tregojnë se projekti parashikon transformimin e 110 hektarëve në pjesën qendrore të vijës bregdetare të Darëzezës.

Në këtë zonë pritet të ndërtohen hotele, kulla, pallate, komplekse vilash dhe struktura të tjera turistike, me një vlerë investimi të vlerësuar në rreth 1.2 miliardë euro.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit, projekti përfshin ndërtimin e një shëtitoreje për këmbësorë të tipit “Lungomare”, hotele, pallate, komplekse vilash, tregje, ambiente sportive dhe një akuapark të madh, të gjitha në pronësi private.

Një nga argumentet e përdorura nga Edi Rama, i shoqëruar me prezantime dhe video 3D të projektit, është rritja e numrit të turistëve të huaj dhe mungesa aktuale e kapaciteteve për t'i akomoduar dhe argëtuar ata në Sarandë, Vlorë, Gjirin e Lalzit, Kavajë, Durrs dhe Velipojë.

Por kritikët e projektit e konsiderojnë këtë argument si një justifikim për të hapur një tjetër front të madh betonimi në bregdetin shqiptar.

Edhe para se kompanitë që do të përfitojnë nga tokat dhe plazhet publike të jenë përzgjedhur zyrtarisht, Kryeministri Edi Rama ka angazhuar Fondin Shqiptar të Zhvillimit për ndërtimin e segmentit rrugor nga rrethi i Sopit deri në Urën e Darëzezës.

Qëllimi është i qartë: të kemi infrastrukturën gati për investitorët privatë që do të marrin përsipër zhvillimin e zonës.

Por ky nuk është rasti i vetëm.

Në tre vitet e fundit, qeveria ka dhënë gjithashtu rreth 270 hektarë tokë përgjatë bregdetit të Semanit, në zonën e Topojës në Fier, për projekte të deklaruara si investime fotovoltaike.

Sipas kritikëve të këtyre projekteve, jo vetëm që termocentralet do të ndërtohen në një pjesë të konsiderueshme të kësaj zone, por edhe hotele, pallate, komplekse vilash dhe vendpushime turistike.

Kështu, ndërsa debati publik është përqendruar te Zvërneci, një pjesë tjetër e rëndësishme e bregdetit shqiptar po përgatitet të hyjë në të njëjtin proces transformimi dhe betonizimi./Pamfleti do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE