LAJME / E Enjte 27 Gusht 2026, 16:04

Detajet e pabesueshme nga arrestimi i Ergys Agasit, kur u ndalua ofendoi efektivët, “u dorëzua” kur pa…

Detaje të reja janë mësuar në lidhje me arrestimin e Ergys Agasit, mbrëmjen e djeshme pranë zonë së Plepave në Durrës.

Mediat raportojnë se Agasi, i cili ishte në kërkim që nga 16 dhjetori i vitit të kaluar, kohë prej së cilës jetonte në arrati, qëndronte në aksin Durrës-Elbasan dhe se lëvizte shpesh mes këtyre dy qyteteve.

Mësohet se në momentin që automjeti i drejtuar nga ish-polici Ulian Shpataraku ka mbërritur në zonën e Plepave, është rrethuar nga forcat e posaçme operacionale. Në gatishmëri ka qenë edhe RENEA, por operacioni është mbajtur në sekret të plotë.

Në momentin e ndalimit, duke menduar se po përballej me forcat policore të Durrësit, Agasi ka kundërshtuar me një fjalor jo të përshtatshëm, por më pas kur ka kuptuar që ishte i rrethuar ka pranuar të kryejë të gjithë procedurat për arrestimin e tij.

Avokati Maks Haxhia, i cili mëngjesin e kësaj të enjteje vizitoi në Bllokun e Sigurisë biznesmenin e arrestuar tashmë, Ergys Agasi, ka dhënë një deklaratë të shkurtër për mediat, ku ka treguar edhe qëndrimin e klientit të tij lidhur me akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Pas takimit me Agasin, avokati bëri me dije se një prej problemeve kryesore për mbrojtjen është mungesa e dosjes së plotë hetimore, duke theksuar se ajo është kërkuar prej kohësh dhe se pa u njohur me provat dhe materialet e grumbulluara nga SPAK, mbrojtja nuk mund të paraqesë në mënyrë të plotë pretendimet e saj.

Sipas Haxhisë, Ergys Agasi pretendon se është jashtë çdo përgjegjësie juridike për akuzat e ngritura ndaj tij dhe se nuk ka prekur financat publike.

“Ky është një takim i parë dhe përgatitemi për procesin që është në ditët ee afërta lidhur më arrestin dhe kushtet e arrestimit. Kuptohet që ne duam dosjen, sepse është e turpshme që edhe pas kaq kohësh që e kemi kërkuar, kjo nuk ka ndodhur,. Pa dosjen nuk ngremë dot pretendimet. Agasi pretendon se është jashtë çdo ngarkesë juridike pasi nuk ka prekur financat publike pasi nuk ka mbajtur funksione të autoriteteve që menaxhojnë financat publike, as lidhur me tenderat”, ka thënë Haxhia ndër të tjera, teksa më tej është shprehur kundër edhe mënyrës se si kjo çështje në ngarkim të klientit të tij është pasqyruar publikisht.

“Media e ka fryrë dhe zbardhur çështjen. Këta të fusin në burg pastaj të bëjnë hetimet. Si ajo historia që të marrin të presin këmbën e pastaj të numërojnë i ke apo jo të dyja këmbët”, ka thënë ai më tej.

Kujtojmë se Ergys Agasi u arrestua pasditen e së mërkurës në zonën e Plepave në Durrës, pas rreth tetë muajsh në kërkim nga SPAK. Biznesmeni ishte shpallur në kërkim në dhjetor të vitit 2025, në kuadër të hetimeve për procedurat e prokurimit të AKSHI-t.

Pas arrestimit, Agasi u shoqërua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku iu komunikua masa e arrestit me burg dhe u kryen procedurat nga agjentët e BKH-së. Më pas ai u transferua në Bllokun e Sigurisë, ku ndodhet aktualisht dhe pritet të dalë përpara GJKKO-së për shqyrtimin e masës së sigurisë.

SPAK e akuzon për disa vepra penale, mes tyre “grup i strukturuar kriminal, konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje e paligjshme e lirisë, shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, pastrim të produkteve të veprës penale dhe korrupsion”.

“Ky shtetas po hetohet për kryerjen e veprave penale: “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të parashikuara nga nenet 110, 170/b e 28/4, 258, 287 dhe 333/a dhe 334 të Kodit Penal, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 244 paragrafi i dytë i K. Penal”, njoftoi SPAK mbrëmjen e së mërkurës, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE