
Gazetari Artan Hoxha ka dhënë detaje arrestimin e Ergys Agasit dhe lëvizjet e policisë pas ndalimit të tij në zonën e Plepave në Durrës.
Hoxha ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si u transportua Agasi pas arrestimit, duke deklaruar se fillimisht ishte planifikuar që ai të dërgohej në burgun e Durrësit, por më pas furgoni i policisë ndryshoi drejtim.
“Sapo u kap, njoftimi fillestar ishte që do të shkonte në burgun e Durrësit, por e kthyen në Qafë-Kashar. Këtë s’e di pse e kthyen, çfarë ndodhi për Bradasheshin”, tha Hoxha.
Gazetari e lidhi këtë ndryshim itinerari me një telefonatë të mundshme, duke ngritur pyetjen: “Kush e ka urdhrin?”.
Sipas Hoxhës, arrestimi i Agasit mund të ketë një tjetër dimension përtej akuzave të bëra publike deri tani. Ai shprehu skepticizëm se Agasi do të vendosë të bashkëpunojë me hetimet apo të japë informacione për persona të tjerë.
“Nuk shpresoj që Agasi të flasë më. Agasi është arrestuar për t’iu mbyllur goja”, deklaroi Hoxha, duke theksuar se kjo është pikëpamja e tij mbi situatën.
Ai shtoi se, sipas tij, Agasi mund të përballet me akuzat që janë ngritur ndaj tij dhe se gjatë hetimit mund të ketë edhe zhvillime të tjera.
Hoxha u ndal edhe te fakti që Agasi, pavarësisht se ishte një person i përfolur publikisht, kishte vijuar të shfaqej në Tiranë. “Agasi këto kohë ka ndenjur në Tiranë. Po të ishte i shqetësuar, s’do të dilte. Kur del një njeri i tillë që është kaq i përfolur, del kur ka siguri”, tha ai në emisionin “Kjo Javë”.
Me tone të forta, Hoxha ngriti pikëpyetje mbi mënyrën se si u krye arrestimi dhe mbi arsyet që, sipas tij, çuan në ndalimin e Agasit pas një periudhe të gjatë.
Sipas gazetarit, arrestimi i Agasit nuk duhet parë thjesht si një çështje e SPAK-ut, pasi, në këndvështrimin e tij, nëse do të ishte një objektiv i drejtpërdrejtë i strukturës së posaçme, arrestimi do të ishte kryer shumë më herët. Ai u ndal te mënyra e kapjes së Agasit, duke e cilësuar si një prej elementëve që, sipas tij, ngre më shumë pikëpyetje.
Hoxha e krahasoi këtë arrestim me atë të ish-presidentit Ilir Meta, duke argumentuar se në atë rast, sipas tij, pati një operacion të posaçëm dhe një organizim më të gjerë. Por ajo që e ka bërë veçanërisht të veçantë arrestimin e Agasit, sipas Hoxhës, është dokumentimi i tij. Hoxha tha se lëvizjet e Agasit tregonin, sipas tij, se ai nuk sillej si një person që ishte në arrati apo që i trembej arrestimit. Sipas gazetarit, Agasi nuk duhet të kategorizohet si një personazh tipik i botës së krimit.
Ai e zhvendosi fokusin nga bota e krimit drejt marrëdhënieve mes pushtetit dhe personave që, sipas tij, kanë vepruar pranë tij. Gazetari hodhi akuza të drejtpërdrejta politike, duke e lidhur fuqinë që, sipas tij, kishte Agasi me nivele të larta të pushtetit, deri te kryeministrit Rama. Hoxha u shpreh skeptik për mundësinë që Agasi të bashkëpunojë me drejtësinë.
“Në fakt nuk është çështje e SPAK-ut arrestimi i Ergys Agasit. Po të ishte çështje SPAK-u, e kishin arrestuar që vitin e kaluar në dhjetor. Pra, është një arrestim që ndodhi pas 10 muajsh dhe ndodhi pas 10 muajsh, jo se Ergys Agasi ishte njeri që ata nuk e gjenin dot se ku ishte fshehur. Por pas 10 muajsh iu hoq imuniteti Ergys Agasit dhe u la i zbuluar që ta arrestonte shoferi i grupit të gatshëm të Komisariatit të Durrësit, Nazmi Bakalli. Është një polic i Shqiponjave që quhet Cenc Gashi. Pra, një personazh kaq i madh, me këtë aureolë, me gjithë këto lidhje, me gjithë këtë pushtet, nuk e kapin dy policë të grupit të gatshëm të Komisariatit të Durrësit. Pra, kjo është gjëja, ajo që kërcet. Regjisori do të ishte munduar ta bënte një çikë më interesante. Ju e kujtoni arrestimin e presidentit Meta. Meta nuk ishte person në kërkim, nuk ishte i fshehur drejtësisë. Por i çuan skuadrën e Posaçme Operacionale. U vendos kamera në pozicion. Pra, pati një regji më interesante. Kurse në rastin konkret kjo gjë nuk ndodhi. Madje mund të jetë arrestimi më i filmuar dhe më i dokumentuar në Shqipëri, sepse në çdo cep, në çdo moment ku ai ishte filmuar, ishte një polic që i shkrepte një foto.
Po polici që më parë s’guxon as t’ia përmendin emrin. Jo më ta ndalonin në rrugë. Pra, si ndodhi kjo?! Pse Agasi ishte i sigurt deri në atë moment që nuk do ta preknin? Sepse kjo nuk ishte thjesht një çështje SPAK-u. Ai iku nga Tirana në Elbasan. Nuk ndoqi rrugën e autostradës, por krahun tjetër. Pra, qëndrimi i tij ka që sa herë kemi folur ne bashkë vitin e kaluar. Kam thënë ndonjëherë unë që ka ikur jashtë shtetit.
Ergys Agasi nuk ishte një njeri, domethënë, që mund ta kapte grupi i gatshëm. Agasi nuk është njeri që vinte nga bota e krimit, nuk ishte një gangster tipik. Ishte njeri që dikush ia delegoi pushtetin dhe ai pastaj, me atë pushtet aq të madh që iu delegua, bëri atë që bëri, por na ka bërë një shërbim shumë të madh, përveç dëmit të madh që ka bërë. Pasojat e tij do t’i shikonim.”-tha Hoxha më tej.
