
Nga 150 milionë euro të akorduara në janar 2018, vetëm 40 milionë shkuan për investime reale; 68 milionë u zhdukën pa lënë gjurmë, 42 milionë iu dhuruan bujtinave e vila private të lidhurve me pushtetin, ndërsa 62 fshatra nuk panë asnjë qindarkë. E njëjta skemë si inceneratorët dhe IPARD II, tashmë në dosjet e SPAK-ut.
Me fondet e shtetit për projektin “100 fshatrat turistikë”, shefat e qeverisë dhe klientët e tyre kanë zbatuar të njëjtën skemë falsifikimi e zhvatjeje, si me fondet e inceneratorëve dhe fondet bujqësore “IPARD II” që dërgoi Bashkimi Europian në Shqipëri.
Një informacion i sigurtë, ardhur në “Pamfleti” nga burime brenda ministrisë së Financave, zbulon abuzimet e mëdha me fondet e buxhetit të shtetit, që qeveria akordoi për projektin e zhvillimit rural “100 fshatrat turistikë”.
Për këtë projekt, ministria e Financave ka akorduar 150 milionë euro, të menaxhuara e tenderuara nga ministria e Kulturës e drejtuar nga Mirela Kumbaro e më pas nga Elva Margariti, dhe nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i drejtuar nga Dritan Agolli.
Por pas auditit financiar të dosjeve që ka dorëzuar Ministria e Kulturës dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, për investimet e kryera në 100 fshatrat e përzgjedhur, dhe nga verifikimi fizik në terren, ka rezultuar se 110 milionë euro nuk janë investuar për projektin.
Më saktësisht, nga 110 milionë euro të bëra “rrush e kumbulla”, është konstatuar se 68 milionë euro nuk janë investuar fare për fshatrat turistikë, ndërsa 42 milionë euro u janë dhënë për bujtina e vila private e biznese, individëve të lidhur me kupolën e pushtetit.
Nga 150 milionë euro në total, vetëm 40 milionë euro janë investuar realisht për projektin “100 fshatrat turistikë”, por në 62 fshatra të përzgjedhur në qarqet Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Berat, Lezhë, Shkodër, Kukës, Gjirokastër, Korçë, Vlorë e Dibër, nuk është investuar asnjë qindarkë.
Ndërsa në letrat e ministrisë së Kulturës të firmosura nga ish-ministreshat Mirela Kumbaro e Elva Margariti, dhe në letrat e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, të firmosura nga drejtori Dritan Agolli, deklarohen investime në të 100 fshatrat e përzgjedhur për zhvillime turistike.
Projekti “100 fshatra turistikë” me fonde investimi 150 milionë euro nga buxheti i shtetit në janar 2018, ishte planifikuar të përfundonte në fund të vitit 2020, dhe parashikonte këto aspekte:
Përmirësimi i infrastrukturës publike rrugore, sportive, rivitalizimi i hapësirave publike e urbane, infrastrukturë komunitare, mjedisore, turistike, monumente të trashëgimisë kulturore, qendra multifunksionale komunitare, peizazhe mjedisore, qendra historike etj.
Por i vetmi zbatim në këtë projekt rezulton tenderimi i fondeve, zhdukja e 110 milionë eurove, dhurimi i milionave për vila, resorte e biznese të personave të lidhur me kupolën e pushtetit dhe plotësimi i dosjeve sikur janë bërë investime për 100 fshatrat turistikë.
Babëzia dhe vjedhjet duke përdorur projektin fantazmë “100 fshatrat turistikë” vazhdojnë akoma me fonde shtesë nga buxheti i shtetit, nëpërmjet tenderëve fiktivë me miliona euro që sajon dhe zhvillon Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli.
Bashkë me kompanitë private dhe kryetarët e bashkive, hartojnë dokumenta false, të shoqëruara me propagandën e kryeministrit Edi Rama dhe të ministrit aktual të kulturës, Blendi Gonxhe.
Është një dosje me përmbajtje krim të madh e të dukshëm financiar, të kryer nëpërmjet mashtrimeve dhe falsifikimit të dokumentave, që duhet të shërbejë si indicie hetimore për SPAK-un./Pamfleti, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
