LAJME / E Enjte 11 Shtator 2025, 17:05

11 shtatori, 24 vite nga sulmi më i madh terrorist në historinë e njerëzimit

Ditën e sotme, më 11 shtator 2025, bëhen 24 vite nga një ditë që nuk mund të harrohet, një ditë që ndryshoi gjithçka. Sulmet e 11 shtatorit 2001, të kryera nga terroristët e Al-Qaidës, goditën Kullat Binjake në Nju Jork dhe Pentagonin në Uashington, DC, duke marrë jetët e më shumë se 2,900 njerëzve dhe duke lënë pas një dhimbje të thellë.

Pas asaj dite, bota ishte ndryshe, jo vetëm Shtetet e Bashkuara, por çdo komb, çdo qytet, çdo individ. Pasojat e kësaj tragjedie e shoqëruan botën në çdo hap të saj, duke çuar në ndryshime të mëdha në sigurinë globale, politikat ndërkombëtare dhe luftën kundër terrorizmit.

Më poshtë ju tregojmë kronologjinë e ngjarjeve të 11 shtatorit, i konsideruar si sulmi më i madh terrorist në historinë e njerëzimit:

* Ora 8:46 e mëngjesit, një aeroplan i rrëmbyer (American Airlines 11) u përplas mbi kullën veriore të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, duke krijuar një çarje të thellë në faqen e ndërtesës dhe duke shkaktuar zjarr. 17 minuta më vonë, në orën 9:03, një aeroplan tjetër pasagjerësh përplaset mbi kullën jugore, duke krijuar një lëmsh të madh zjarri.

* Ora 9:17 e mëngjesit. Administrata Federale e Aviacionit urdhëron mbylljen e të gjitha aeroporteve në Nju Jork. Pak minuta më vonë, mbyllen edhe urat dhe tunelet në Nju Jork.

* Në orën 9:30 Presidenti Bush që ndodhej në Florida, informon popullin amerikan se vendi ka përjetuar një sulm terrorist. Ndërkohë, Administrata Federale e Aviacionit, ka pezulluar të gjitha fluturimet, hera e parë kjo në historinë amerikane, që pezullohet transporti ajror.

* Ora 9:37 e mëngjesit. Vetëm pak kilometra jashtë Uashingtonit, një aeroplan pasagjerësh përplaset mbi ndërtesën e Pentagonit, duke e mbuluar atë në flakë. Disa qindra vetë vriten ose plagosen.

* Ora 09:59 e mëngjesit. Kulla jugore e Qendrës Botërore të Tregtisë rrëzohet, duke shkaktuar re të dendura pluhuri që mbulojnë qytetin e Nju Jorkut.

* Ora 10:10 e mëngjesit, Aeroplani i linjës United Airlines numër 93, rrëzohet në shtetin e Pensilvanisë.

* Ora 10:22 e mëngjesit, Departamenti i Shtetit dhe i Drejtësisë evakuohen dhe më pas edhe Banka Botërore dhe ndërtesa e kongresit.

* Ora 10:28 e mëngjesit, Kulla veriore e Qendrës Botërore të Tregtisë, rrëzohet! Kullat e famshme binjake të Nju Jorkut, nuk janë më.

* Ora 10:45 e mëngjesit, të gjitha zyrat kryesore të qeverisë federale evakuohen.

* Ora 11:59 e mëngjesit, agjencia ajrore, United Airlines konfirmon se aeroplani me numër fluturimi 175, i linjës nga Bostoni për në Los Angeles është rrëzuar me 56 pasagjerë dhe 9 pjesëtarë të ekuipazhit. Më pas mësohet se ky ishte aeroplani që u përplas mbi kullën jugore të Qendrës Botërore të Tregtisë do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE