LAJME / E Diel 21 Qershor 2026, 20:08

100 milionë euro borxh për “Paketën e Maleve”: me taksat tona ndërtojnë infrastrukturën, klientela e Ramës përlan fitimet

Ndërsa protestuesit kërkojnë shfuqizimin e ligjit, qeveria ka nisur financimin e infrastrukturës për resortet, hotelet dhe fermat private që do të ngrihen në zonat e përfshira nga projekti “Porta e Alpeve”…

Ndërkohë që protestuesit po kërkojnë anulimin e ligjit “Paketa e Maleve”, duke e konsideruar si një kopje moderne dhe vazhdim të logjikës së Ligjit 7501, kryeministri Edi Rama e ka shpërfillur këtë kërkesë dhe ka nisur zbatimin e tij përmes ndërtimit të infrastrukturave të posaçme në shërbim të investimeve private.

Me një akt tjetër të veçantë, në mbështetje të investimeve që do të zhvillohen në zonat e përfshira nga “Paketa e Maleve”, qeveria ka nënshkruar një marrëveshje huaje me Bankën Europiane të Investimeve, në vlerën 50 milionë euro, me afat shlyerjeje 10-vjeçar.

Ndërkohë, 50 milionë euro të tjera parashikohen të sigurohen përmes borxhit të brendshëm, nëpërmjet emetimit të bonove të thesarit, me garanci nga Ministria e Financave dhe Banka e Shqipërisë.

Sipas kontratës së miratuar nga qeveria dhe më pas nga Kuvendi, borxhi prej 100 milionë eurosh, i marrë në kuadër të projektit “Porta e Alpeve”, do të përdoret për ndërtimin e infrastrukturës në zonat ku janë përcaktuar sipërfaqet që do të jepen në përdorim sipas ligjit “Paketa e Maleve”.

Ky financim, që sipas kritikëve është vënë në funksion të investitorëve privatë që do të përfitojnë tokat dhe zonat natyrore të përfshira në projekt, u miratua me Ligjin nr. 52, datë 21 maj 2026.

Vetëm një muaj më vonë, qeveria ka firmosur kontratën për marrjen e borxhit.

Me këto fonde parashikohet të ndërtohen rrugë, rrjete ujësjellësi, kanalizime dhe linja energjie elektrike, të destinuara kryesisht për resortet, hotelet dhe fermat që do të ndërtohen nga subjektet private në territoret e përfshira në “Paketën e Maleve”.

Ndërkohë, qendrat e banuara në zonat rurale vazhdojnë të vuajnë mungesën e rrugëve, shërbimit shëndetësor, shkollave, ujit të pijshëm dhe energjisë elektrike.

Investimet infrastrukturore, të financuara nga taksat e qytetarëve, po paraqiten si pjesë e një strategjie për zhvillimin e qëndrueshëm dhe rigjallërimin e zonave malore, ndërsa kundërshtarët e projektit argumentojnë se ato do të shërbejnë kryesisht për interesat e bizneseve private.

Sipas tyre, bëhet fjalë për të njëjtën skemë klienteliste që është përdorur edhe më parë, ku fondet publike janë investuar për ndërtimin e rrugëve, rrjeteve të ujit dhe energjisë në funksion të resorteve, hoteleve dhe fermave private në Sarandë, Himarë, Vlorë, Fier, Divjakë, Gjirin e Lalzit, Kavajë, Durrës, Velipojë dhe Pogradec.

Për të justifikuar marrjen e këtij borxhi prej 100 milionë eurosh, qeveria është mbështetur në marrëveshjen e datës 5 shkurt 1998 ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Europiane të Investimeve.

Por kritikët theksojnë se kjo marrëveshje ishte konceptuar për investime në funksion të komuniteteve dhe qendrave të banuara rurale, jo për infrastrukturë në shërbim të investimeve private.

Sipas tyre, në kontratën aktuale qeveria po i trajton si “qendra të banuara” resortet, hotelet dhe fermat që do të ndërtohen nga privatët në tokat e përfituara sipas ligjit “Paketa e Maleve”.

Dhe pikërisht mbi këtë logjikë po ndërtohet projekti “Porta e Alpeve”, i cili po mbështetet financiarisht nga shteti përmes infrastrukturës publike./Pamfleti, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE