LAJME / E Hënë 21 Shtator 2026, 21:09

Zbardhet biseda e fundit e Nertil Buzit

Zbardhet biseda e fundit e Nertil Buzit me një prej motrave të tij, e zhvilluar vetëm pak ditë para ngjarjes së rëndë të 24 korrikut në Roskovec.

Biseda e siguruar nga emisioni “Në kohë reale”, hedh dritë mbi atë që Buzi i thoshte motrës për marrëdhënien me ish-partneren e tij, Rozalinda Plaka, si dhe për kallëzimin e bërë ndaj tij.

Në komunikimin me motrën, Buzi shprehej se shpresonte që ish-partnerja të tërhiqte kallëzimin. Sipas versionit të tij, ajo i kishte dhënë fjalën se do ta bënte këtë, por ai shfaqte shqetësimin se familjarët e saj mund ta pengonin.

“Duan një deklaratë nga ana e asaj palaços. Mos të të shpëtojë goja, më ka dhënë llafin ajo për të ma bërë. E la dhe për të shtunën e parë faktikisht, por nuk e lanë ata të dilte. Ajo më ka dhënë llafin që do ta bëjë, se di. Inshalla nuk nxjerr ndonjë muhabet tjetër. Po e morën vesh ata, që do bëj atë gjë tha, e para do ta rikthejnë prapë, pastaj do ta detyrojnë, s’di ç’të bëjë. Nuk do ta marrin vesh ata, po e bëri do ta bëjë pa dijeninë e atyre”, dëgjohet të thotë Buzi në bisedën e publikuar.

Në të njëjtin komunikim, ai mohonte se kishte ushtruar dhunë ndaj ish-partneres dhe pretendonte se familjarët e saj kërkonin ta “fundosnin”.

“Pse ç’jam unë budalla, as e kam prekur ndonjëherë atë me dorë dhe s’kam pse e prek, ç’lidhje ka ajo fare s’ka arsye. Iu çova mesazh hajdeni se po ju pres, hajdeni të gjithë familjarisht qysh jeni. Merre dhe atë dajon i thash, atë trimin dhe hajdeni kur të doni iu mirëpres, nuk kthejnë përgjigje. Unë e di që ata atë duan të më fundosin sa më shumë se iu doli blof herën e parë dhe po mundohen tani, por unë nuk jam budalla…”, shprehej ai.

Biseda është zhvilluar vetëm pak ditë përpara ngjarjes së rëndë të 24 korrikut në Vidhishtë të Roskovecit. Atë ditë, Nertil Buzi shkoi në banesën e familjes Plaka, ku qëlloi me armë ndaj ish-vjehrrit dhe ish-vjehrrës së tij. Kosta Plaka humbi jetën, ndërsa bashkëshortja e tij, Belere Plaka, mbeti e plagosur rëndë dhe ndërroi jetë më vonë në spital.

Pas të shtënave, Buzi mori me forcë ish-partneren e tij, Rozalinda Plaka, e cila u lirua disa orë më vonë pas negociatave me forcat e policisë, ndërsa Buzi i dha fund jetës brenda automjetit të tij.

Ndërkohë, një tjetër pistë që mund të hedhë dritë mbi konfliktin mes palëve është se përplasja mund të mos ketë pasur në themel vetëm përfundimin e marrëdhënies mes Nertil Buzit dhe Rozalinda Plakës, por edhe mosmarrëveshje financiare.

Kujtojmë se, Buzi kishte sjellë një shumë parash nga Anglia, të cilën, sipas pretendimeve të ngritura, nuk e kishte gjetur më pas në Shqipëri. 35-vjeçari Nertil Buzi kishte qenë më herët peng i grupeve kriminale në Angli dhe se për lirimin e tij kishte ndërhyrë policia londineze.

Pista financiare dhe rrethanat e tjera që mund të kenë ndikuar në përshkallëzimin e konfliktit mbeten pjesë e çështjes që po hetohet. Pretendimet e ngritura për ngjarjet në Angli dhe paratë e sjella në Shqipëri kërkojnë konfirmim nga autoritetet përkatëse.