Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, me kërkesë të Prokurorisë së Korçës, për Kejsi Spahillarin, e cila akuzohet për vrasjen e të dashurit të saj, Antonio Karafili, ngjarje e ndodhur shtatë vite më parë në Voskopojë.
Edhe pse ngjarja u regjistrua dhe u hetua fillimisht si vetëvrasje, pasi 18-vjeçari Antonio Karafili u gjet i varur me çarçaf në një pemë në periferi të fshatit Voskopojë, prokuroria vijoi hetimet duke mbledhur prova dhe vlerësuar indiciet, të cilat implikonin në ngjarje të dashurën e Antonios, Kejsi Spahillari, dhe të riun tjetër, Rexhep Vathi.
Ana Spahillari, nëna e Kejsi Spahillarit në një prononcim për News24 ka deklaruar se nuk është e vërtetë që e bija është vrasëse.
Ajo ka kërkuar nga policia që të bëjë punën dhe të zbulojë të vërtetën, ndërsa ka këmbëngulur se gjithçka është një sajesë.
“Çdo gjë është sajesë historia ka qenë komplet ndryshe që në fillim. Jam shumë e shokuar. Nuk e njoh fare personin në fjalë. Nuk ka mundësi që pa pasur një gjë konkrete të shpiket kjo histori. Në tërë këto vite policia të mos zbardhë ngjarjen por të bazohet në sajesa.
Kejsi e gjeti bashkë me të ëmën, e kanë prekur çarçafin dhe e kanë prerë. Edhe unë e kam prekur çarçafin kur e sollën në shtëpi.
Kejsi nuk kishte asnjë arsye se përse ta bënte një gjë të tillë.
Kanë nisur një luftë si me mullinjtë e erës, çdo gjë shpifet dhe besohet. Të bëhesh vrasës për asnjë provë…Kejsi nuk ka asnjë lidhje. Kejsi ishte në Korçë kishin një zënkë ishin ngjitur në Voskopojë. Pas grindjes ai nuk donte të zbriste. Kësi kishte marrë mamanë dhe vëllanë.
Ato që thanë atë natë kur Kejsi më mori në telefon duke ulërirë, ata nuk thanë që ishe i shtrirë si e gjetën, por e ëma tha e ngritëm peshë. Pas një muaji e gjysmë e nisëm këtë sajesë. Kërkoj nga policia drejtësi të bëjnë punën të zbulohet e vërteta, mëkat të bësh vrasës një person që nuk është”, tha ajo.