Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë ndaj 4 personave për vrasjen e 30-vjeçares Liridona Ademaj në Nëntor të vitit 2023, pas përfundimit të hetimeve.
Fillimisht, rasti ishte raportuar si “grabitje me pasoja të vrasjes”, por dy ditë më vonë, Policia e Kosovës njoftoi se lidhur me rastin ka arrestuar dy persona. Në mesin e tyre ishte edhe bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli.
Murseli, me të cilin Liridona jetonte në Suedi dhe kishte dy fëmijë, është në mesin e të akuzuarve për vrasjen e Liridonës. Tre të akuzuarit e tjerë janë Kushtrim Kokalla, Granit Plava dhe një personi i katërt, që nuk u emërua gjatë konferencës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës.
Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviç, tha se nuk mund të japë shumë detaje rreth aktakuzës, por shtoi se, gjatë kohës që jetonin në Suedi, Liridona dhe Naimi kishin “marrëdhënie të trazuara martesore”, si pasojë e të cilave erdhën edhe problemet pronësore”.