
Anxhela Paparizo është liruar këtë të hënë nga detyra e drejtoreshës së Qendra Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, pas një vendimi për ndryshime në drejtimin e institucionit më të madh shëndetësor në vend.
Në vend të saj është emëruar Rudina Degjoni, e cila do të marrë drejtimin e QSUT-së në vijim.
Të dashur miq, bashkëpunëtorë, kolegë,
Teksa mbyll këtë kapitull të rëndësishëm në drejtimin e QSUT-së, dua t’ju falënderoj nga zemra për mbështetjen, profesionalizmin dhe përkushtimin që keni treguar çdo ditë. Çdo sukses i arritur gjatë kësaj periudhe është rezultat i punës sonë të përbashkët dhe i përpjekjeve të një ekipi të jashtëzakonshëm.
Së bashku arritëm të realizojmë me sukses dy rastet e para të implementimit të protezës së gjirit, duke hapur një kapitull të ri për trajtimin dhe rehabilitimin e pacienteve tona. Krijuam Qendrën e Gjirit. Organizuam me sukses Konferencën e Neurologjisë, një aktivitet i rëndësishëm shkencor dhe profesional. Rikonstruktuam Punktin e Kimioterapisë dhe përmirësuam planifikimin e konsultave onkologjike, duke ofruar më shumë dinjitet dhe efikasitet për pacientët.
Gjatë kësaj periudhe nisëm punimet për godinën e re të shërbimit të Djegie-Plastikës, menaxhuam me sukses fushatën e vaksinimit për stafin mjekësor, ulëm ndjeshëm radhët e pritjes për shërbimet e imazherisë dhe siguruam plotësimin e listës së barnave për përdorim spitalor.
Forcuam kapacitetet e shërbimeve tona përmes shtimit të një salle të dedikuar për anestezinë në Onkopediatri, vumë në funksion kabinetin e ri të audiometrisë në fushë të hapur dhe kabinetin e testimit vestibular, i vetmi në sistemin publik shëndetësor në Shqipëri. Gjithashtu, krijuam një linjë të dedikuar për denoncimin e rasteve të korrupsionit, në funksion të transparencës dhe llogaridhënies.
Në fushën klinike realizuam me sukses provën klinike me atropinë për trajtimin e miopisë tek fëmijët, rikthyem në funksion ekipet multidisiplinare (tumorbordet), shtuam dy injeksione të reja intravitreale për pacientët që rrezikojnë humbjen e shikimit nga diabeti, vumë në funksion vitrektominë dhe realizuam rastet e para me këtë metodë moderne trajtimi.
Po ashtu, vumë në funksion akseleratorin e tretë për trajtimet onkologjike, mbështetëm zhvillimin e metodave të reja miniinvazive kardiake dhe nisëm aplikimin e injeksioneve për ruajtjen e shikimit tek bebet premature, duke sjellë mundësi të reja trajtimi për pacientët më vulnerabël.
Paralelisht me këto zhvillime, hartuam dhe miratuam 38 protokolle pune, forcuam bashkëpunimin me shefat e shërbimeve, realizuam 309 kostifikime për një menaxhim më të saktë financiar dhe institucional, si dhe riaplikuam për procesin e vetëmenaxhimit spitalor, një hap i rëndësishëm drejt rritjes së autonomisë dhe përgjegjshmërisë së institucionit.
Këto arritje dhe shume te tjera qe nuk janë listuar këtu, nuk i përkasin një drejtori apo një individi. Ato janë fryt i përkushtimit të mjekëve, infermierëve, teknikëve, personelit mbështetës, administratës dhe çdo punonjësi të QSUT-së që ka kontribuar me profesionalizëm dhe përgjegjësi.
Largohem me krenari për atë që kemi ndërtuar së bashku dhe me besimin e plotë se QSUT-ja do të vazhdojë të ecë përpara, duke u zhvilluar çdo ditë në shërbim të pacientëve dhe të sistemit shëndetësor shqiptar.
Faleminderit për besimin, bashkëpunimin dhe mbështetjen tuaj. Do ta konsideroj gjithmonë privilegj që kam qenë pjesë e këtij rrugëtimi me ju.
Me respekt dhe mirënjohje, Anxhela, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
