
Rusia po përgatitet të nisë sulme me raketa ndaj vendeve që mbështesin Ukrainën, ka paralajmëruar kryeministri polak Donald Tusk.
Deklarata e tij vjen pasi Polonia u detyrua të mbyllte përkohësisht hapësirën ajrore, të ngrinte në fluturim avionët luftarakë dhe të mbyllte disa aeroporte, pas sulmit të fundit rus.
Duke folur në parlamentin polak, Tusk tha se agjencitë perëndimore të inteligjencës kanë konfirmuar përgatitjet e presidentit rus Vladimir Putin për një konflikt më të gjerë.
Sipas tij, vendet që mbështesin Ukrainën mund të bëhen objektiv i sulmeve ruse, ndërsa lufta vijon pa shenja të qarta se Moska po arrin objektivat e saj.
Britania e Madhe, si një prej aleatëve kryesorë të Ukrainës, mund të jetë mes vendeve që Rusia synon të godasë, sipas paralajmërimit të kryeministrit polak.
Sulmet me dronë dhe misionet e zbulimit rus brenda hapësirës ajrore të NATO-s janë regjistruar edhe më herët, përfshirë pranë bazave britanike. Megjithatë, një sulm i drejtpërdrejtë me raketa ndaj territorit të një vendi anëtar të aleancës do të përbënte një përshkallëzim të rëndësishëm.
Paralajmërimi i Tusk erdhi pas një sulmi rus në Ukrainën perëndimore, pranë kufirit me Poloninë, ku u përdor një dron me motor reaktiv dhe shpejtësi të lartë.
Vetëm disa ditë më parë, një tjetër dron rus goditi një stacion hekurudhor pranë kufirit, duke rrezikuar edhe figura të huaja që ndodheshin në zonë, mes tyre ish-kryeministrin britanik Boris Johnson.
Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se Britania duhet të paraqesë një plan të besueshëm për rritjen graduale të shpenzimeve të mbrojtjes, përmes rritjeve vjetore.
