
Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) ka shënuar performancën më të mirë në historinë e tij, duke regjistruar rezultat rekord gjatë gjysmës së parë të vitit 2026.
Sipas njoftimit zyrtar të fondit, gjatë periudhës janar–qershor 2026 janë realizuar rreth 312 milionë euro kthim bruto nga investimet, duke e bërë këtë gjashtëmujorin më të suksesshëm që nga themelimi i FKPK-së.
Fondi thekson se ky është kthimi më i lartë i investimeve i arritur ndonjëherë brenda një periudhe gjashtëmujore, duke reflektuar performancën pozitive të tregjeve financiare dhe strategjinë e investimeve të fondit.
Rezultatet nuk ndalen vetëm te viti 2026. Sipas të dhënave të publikuara, nëse këtij rezultati i shtohen edhe 644 milionë euro kthim bruto të realizuara gjatë viteve 2023, 2024 dhe 2025, atëherë në periudhën 1 janar 2023 – 30 qershor 2026, FKPK ka gjeneruar gjithsej rreth 956 milionë euro kthim bruto nga investimet.
Nga fondi bëhet e ditur se këto rezultate janë pasojë e performancës së investimeve në tregjet financiare ndërkombëtare, ku investohen kursimet pensionale të qytetarëve të Kosovës.
FKPK thekson se kthimet nga investimet ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e vlerës së kursimeve pensionale individuale të kontribuuesve, pasi fitimet e realizuara u atribuohen llogarive të tyre sipas rregullave të fondit.
Ky rezultat konsiderohet një nga sukseset më të mëdha financiare të Trustit Pensional në vitet e fundit dhe konfirmon trendin pozitiv të performancës së investimeve gjatë periudhës së fundit.
FKPK ka ritheksuar se do të vazhdojë të ndjekë politika investimi të kujdesshme dhe afatgjata, me synimin për të mbrojtur dhe rritur vlerën e kursimeve pensionale të qytetarëve të Kosovës, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
