
Një studim i ri shkencor me rëndësi të madhe për historinë dhe origjinën e shqiptarëve është publikuar sot në revistën prestigjioze Nature Human Behaviour, duke sjellë përfundime që, sipas autorëve, hedhin dritë të re mbi prejardhjen e shqiptarëve.
Studimi është realizuar nga biologu dhe gjenetisti grek Leonidas-Romanos Davranoglou, në bashkëpunim me një grup shkencëtarësh ndërkombëtarë dhe shqiptarë. Punimi mban titullin “Ancient DNA evidence for the history of the Albanians” dhe është publikuar në vitin 2026.
Sipas këtij studimi, të dhënat e ADN-së së lashtë tregojnë se shqiptarët kanë prejardhje të drejtpërdrejtë nga ilirët, duke mbështetur kështu një nga teoritë më të diskutuara në historiografinë e Ballkanit. Një tjetër përfundim i rëndësishëm është se gjuha shqipe paraqitet si një gjuhë e afërt me proto-greqishten, duke sugjeruar lidhje të hershme gjuhësore në rajon.
Autori i studimit kishte prezantuar më herët një version paraprak të këtij hulumtimi në platformën bioRxiv, ku kishte nxitur debat të madh publik dhe reagime të ndryshme, përfshirë kritika mbi faktin se studimi nuk ishte ende i rishikuar nga kolegët (peer-reviewed). Megjithatë, publikimi në një revistë shkencore të nivelit të lartë konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt validimit të tij.
Sipas autorëve, rezultatet e këtij studimi sfidojnë disa teori të tjera mbi origjinën e shqiptarëve, si ajo dakoromane apo trakase, të cilat tashmë vendosen në një kontekst të ri historik. Ndërkohë, hidhen poshtë edhe teori të tjera që cilësohen si të pabazuara, përfshirë pretendimet për lidhje me “shqiptarët e Kaukazit”.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se ky hulumtim nuk përmbyll debatin shkencor mbi etnogjenezën e shqiptarëve, por përbën një kontribut të rëndësishëm në këtë fushë, duke hapur rrugë për kërkime të tjera në të ardhmen.
Linku i studimit të plotë pritet të shpërndahet në vijim nga autorët, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
