
SHBA- Presidenti amerikan Donald Trump u përplas me gazetaren e ABC News, Rachel Scott, pasi ajo e pyeti për premtimin e tij për t’u dhënë amerikanëve nga 5 mijë dollarë nëse republikanët fitojnë zgjedhjet e mesmandatit.
Ngjarja ndodhi të enjten në Dallas, teksa Trump po largohej me avion. Scott e pyeti presidentin se, nëse politikat e tij ekonomike po funksionojnë, përse nevojitet një pagesë prej 5 mijë dollarësh për të nxitur amerikanët të votojnë.
Trump e kundërshtoi këtë interpretim, duke thënë se pagesa nuk ishte një nxitje për votuesit, por një “shpërblim” për amerikanët që, sipas tij, kishin vuajtur gjatë viteve të administratës Biden.
“Po e bëj si një shpërblim për njerëzit që u është dashur të përballojnë katër apo pesë vite të një situate të tmerrshme të shkaktuar nga Biden”, tha Trump.
Kur Scott tentoi të vijonte me një pyetje tjetër dhe i kujtoi presidentit se më parë kishte premtuar edhe çeqe nga rimbursimet e tarifave që nuk u realizuan, Trump e ndërpreu.
“Jo ti! Jo ti! Hej, jo ti!” – i tha Trump gazetares, duke i bërë me gisht dhe duke iu afruar asaj.
Më pas, presidenti e sulmoi drejtpërdrejt gazetaren dhe televizionin ku ajo punon:
“Ti dhe rrjeti yt jeni më të këqijtë.”
Premtimi për çekun prej 5 mijë dollarësh, të cilin Trump e ka cilësuar si një “dividend”, është bërë një nga deklaratat më të diskutuara të tij në prag të zgjedhjeve të mesmandatit. Sipas vlerësimeve të raportuara nga mediat amerikane, një pagesë e tillë për të gjithë të rriturit amerikanë mund të kushtojë më shumë se 1.3 trilionë dollarë.
Rachel Scott e publikoi më vonë videon e përplasjes në rrjetin X, duke e shoqëruar me një përshkrim të shkurtër: “Pyetja ime për Trump sonte.”
Përplasja është pjesë e një historie të tensionuar mes Trump dhe gazetares së ABC News, të cilën presidenti e ka kritikuar edhe në raste të mëparshme për pyetjet e saj.
