Nga një familje e varfër me 12 fëmijë në malet e Tennessee deri në majat e muzikës botërore, Dolly Parton ndërtoi një karrierë që zgjati më shumë se gjashtë dekada. Autorja e “Jolene” dhe “I Will Always Love You” ishte këngëtare, kompozitore, aktore, sipërmarrëse dhe filantrope. Lajmin për ndarjen e saj nga jeta në moshën 80-vjeçare e bëri të ditur familja.
Dolly Parton, një prej emrave më të njohur dhe më të dashur të muzikës amerikane, është ndarë nga jeta në moshën 80-vjeçare. Lajmin e bëri të ditur nipi i saj, Bryan Seaver, në një mesazh të publikuar nga familja. Shkaku i vdekjes nuk është bërë ende i ditur.
“Është një nder, një nder i përzier me krenari të jashtëzakonshme dhe trishtim të madh. Por trishtimi na përket neve, jo Dolly-t”, tha Seaver. Duke kujtuar ndikimin e saj në familje dhe te njerëzit që e rrethonin, ai shtoi: “Me shembullin e saj, besuam se gjithçka ishte e mundur”.
Vetëm pak ditë më parë, më 21 gusht, Parton kishte folur publikisht për problemet e saj shëndetësore. Në një intervistë për People, ajo kishte pranuar se kishte kaluar “periudha të vështira me shëndetin”. Gjendja e saj ishte rënduar pas humbjes së bashkëshortit Carl Dean, i cili vdiq në mars 2025 në moshën 82-vjeçare. Të dy kishin kaluar së bashku pothuajse gjashtë dekada.
Dolly Parton lindi në Tennessee si një prej 12 fëmijëve të një familjeje shumë të varfër. Pikërisht fëmijëria në malet e Tennessee do të bëhej më vonë një prej burimeve kryesore të muzikës së saj. Ajo këndoi fillimisht në kishë, ku gjyshi i saj ishte predikues, ndërsa në moshën 10-vjeçare kishte nisur të luante në kitarë dhe të shfaqej në televizionet lokale. Në moshën 13-vjeçare performoi në Grand Ole Opry të Nashville, ku u prezantua nga Johnny Cash.
Pas përfundimit të shkollës së mesme në vitin 1964, u nis drejt Nashville me këngët e saj në valixhe. Brenda pak vitesh, vajza nga Tennessee do të kthehej në një prej figurave qendrore të muzikës country amerikane. Bashkëpunimi me Porter Wagoner luajti një rol vendimtar në fillimet e karrierës së saj dhe i hapi rrugën kontratës me RCA.
Në vitin 1973 erdhi kënga që do të bëhej një nga simbolet e saj, “Jolene”. Një vit më vonë publikoi “I Will Always Love You”, këngë të cilën e shkroi si një lamtumirë për Wagoner kur vendosi të vazhdonte karrierën e vetme. Dekada më vonë, interpretimi i Whitney Houston për filmin The Bodyguard e shndërroi këngën në një sukses botëror dhe theu rekorde shitjesh.
Parton shkroi qindra këngë gjatë karrierës së saj. Katalogu i saj përfshin gjithashtu “Coat of Many Colors”, “9 to 5” dhe duetin me Kenny Rogers, “Islands in the Stream”. Muzika e saj regjistroi më shumë se 100 milionë kopje të shitura në mbarë botën dhe mbi një miliard dëgjime në platformat online.
Ajo arriti diçka që pak artistë country kishin bërë para saj: kaloi kufijtë e zhanrit dhe u shndërrua në një yll të kulturës pop. “Here You Come Again” i solli Grammy-n e parë në vitin 1979, ndërsa “9 to 5” e çoi edhe në Hollywood.
Në filmin me të njëjtin titull luajti përkrah Jane Fonda dhe Lily Tomlin. Më pas erdhën role në filma si The Best Little Whorehouse in Texas dhe Steel Magnolias. Për dekada ajo vazhdoi të shfaqej në televizion dhe kinema, ndërsa shkroi gjithashtu libra dhe një roman bestseller së bashku me James Patterson.
Pas imazhit të saj të njohur me flokët e mëdhenj biondë, veshjet me gurë vezullues dhe humorin karakteristik qëndronte edhe një grua që ruajti kontrollin mbi karrierën e vet. Parton shkruante këngët, zotëronte të drejtat mbi krijimtarinë e saj dhe menaxhonte bizneset e veta në një industri të dominuar për shumë vite nga burrat.
Ajo e shndërroi emrin Dolly edhe në një markë biznesi. Parku Dollywood, i ngritur në Tennessee pranë zonës ku lindi, u bë një prej destinacioneve turistike më të njohura të rajonit dhe një burim i rëndësishëm ekonomik për Appalachia.
Por një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë së saj mbetet filantropia. Parton krijoi Imagination Library, programin që u dërgon libra falas fëmijëve. Nisma kishte një motiv personal: babai i saj ishte larguar nga shkolla për të punuar në fermë dhe kishte pasur vështirësi me leximin.
Kur zjarret shkatërruese goditën Smoky Mountains në vitin 2016, ajo organizoi një aktivitet të madh për mbledhjen e fondeve dhe krijoi një program që u jepte çdo muaj ndihmë financiare familjeve që kishin humbur ose dëmtuar shtëpitë.
Gjatë karrierës, Parton mori 55 nominime për Grammy dhe fitoi 10 çmime, duke u renditur mes grave më të nominuara në historinë e Grammy-t. Ajo u përfshi në Country Music Hall of Fame dhe Rock & Roll Hall of Fame, ndërsa mori edhe çmimin për arritje jetësore nga Recording Academy. Në vitin 2025, Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit e zgjodhi për çmimin humanitar Jean Hersholt.
Dolly Parton ruajti gjatë gjithë jetës një raport të veçantë me publikun. Për miliona njerëz ajo ishte thjesht “Dolly”, një figurë që arriti të kishte admirues në breza dhe mjedise shumë të ndryshme, pa e lidhur figurën e saj publike me një krah politik.
Nga shtëpia modeste në Tennessee deri te skenat më të mëdha të botës, Dolly Parton la pas një katalog këngësh që shënoi disa breza, një karrierë në muzikë dhe kinema dhe një veprimtari filantropike që vazhdoi për dekada, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE

