
Tre të rinj kanë mbetur të plagosur pas një konflikti me thika të ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Sarandë.
Ngjarja është regjistruar rreth orës 22:00 në një subjekt tregtar në lagjen nr. 1, pranë hyrjes së shëtitores së qytetit, citon noa.al portalin lokal Sarandaweb.
Të plagosurit janë transportuar në urgjencën e Spitalit të Sarandës, ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore. Ata janë identifikuar si vëllezërit Elidon Shukulli, 24 vjeç, Mario Shukulli, 20 vjeç, si dhe Andi Saliaj, 19 vjeç.
Për shkak të gjendjes së tij, 24-vjeçari Elidon Shukulli është nisur drejt Tiranës për trajtim më të specializuar mjekësor.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se përplasja ka nisur për motive të dobëta, ndërsa policia ka kryer veprime hetimore për të përcaktuar dinamikën dhe përgjegjësinë e personave të përfshirë.
Në vijim të hetimeve janë arrestuar Kamelo Aliaj, 22 vjeç, dhe Andi Saliaj, 19 vjeç, ky i fundit njëkohësisht edhe një prej personave të plagosur gjatë konfliktit. Ndërkohë, Eduard Bajrami, 19 vjeç, është shpallur në kërkim.
Ndaj personave të arrestuar rëndojnë akuzat për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit dhe përcaktimin e rolit të secilit prej personave të përfshirë.
