
Pas një rrugëtimi të nisur në vitin 2022 dhe të mbështetur nga qytetarë shqiptarë, projekti për ngritjen e shtatores së Mbretëreshës Teuta po bëhet realitet.
Gazetari Marin Mema ka bërë të ditur se kanë nisur punimet për vendosjen e monumentit në ballkonin panoramik përgjatë rrugës Shëngjin–Velipojë. Shtatorja prej bronzi, së bashku me bazamentin, do të arrijë një lartësi prej mbi tetë metrash dhe do të jetë e orientuar nga deti, në një pikë nga ku shihet Ulqini dhe një pjesë e vijës bregdetare që dikur përfshihej në mbretërinë ilire.
Sipas Memës, projekti u realizua pa mbështetje financiare nga institucionet, ndërsa pengesa kryesore ishte sigurimi i hapësirës për vendosjen e veprës. Pas afro katër vitesh përpjekjesh dhe refuzimesh nga disa bashki, ishte Bashkia Lezhë ajo që pranoi ta mirëpresë monumentin.
Vendosja e shtatores u miratua unanimisht në muajin janar nga Këshilli Bashkiak i Lezhës. Mema falënderoi kryetarin e bashkisë, Pjerin Ndreu, Paulin Zefin dhe të gjithë bashkëpunëtorët e mbështetësit e nismës. Autor i veprës është skulptori Juljan Muçollari.
View this post on Instagram
Nëse punimet ecin sipas parashikimeve, shtatorja e Mbretëreshës Teuta do të përurohet më 15 shtator.
“Teutë, mirë se u ktheve në Iliri!”, shkruan Marin Mema, duke shprehur shpresën se kjo nismë do t’i hapë rrugën rikthimit përmes monumenteve edhe të mbretërve dhe figurave të tjera ilire.
