LAJME / E Hënë 9 Shkurt 2026, 13:01

Rama shpall luftë të hapur me drejtësinë e re: Parlamenti kundër SPAK dhe GJKKO

Edi Rama ka shpallur publikisht një betejë politike për atë që ai e cilësoi si “zhbërjen e një shpikjeje 100% Made in Albania”, duke iu referuar drejtësisë së re, të cilën e konsideron ende të papjekur. Sipas kryeministrit, kjo betejë nuk lidhet me një rast apo çështje konkrete, por me një parim themelor dhe të panegociueshëm të demokracisë: garantimin e pavarësisë së pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ nga pushteti gjyqësor.

Rama theksoi se kjo përplasje është bërë e pashmangshme pas asaj që ai e quajti një akt antidemokratik, konkretisht pezullimin e një anëtari të qeverisë, ndërsa kritikoi Gjykatën Kushtetuese për pamundësinë e saj për të marrë një vendim të thjeshtë dhe përfundimtar mbi këtë çështje.

Në thelb, kreu i mazhorancës ka paralajmëruar se atë që Gjykata Kushtetuese nuk arriti ta zgjidhë me një vendim unifikues, do ta ndërmarrë Parlamenti përmes një nisme ligjore. Sipas tij, kjo mbetet e vetmja rrugë për të prerë “nyjën gordiane” të krijuar mes SPAK-ut, GJKKO-së dhe Gjykatës Kushtetuese.

Por pyetja që shtrohet është: çfarë ligji mund të ndryshojë mazhoranca në këtë betejë dhe cilat do të jenë pasojat e saj?

Ndërhyrja në Kushtetutë shihet si një hap i rrezikshëm politikisht, një “kafshatë e madhe” që mund t’i kushtojë shtrenjtë mazhorancës në një situatë tashmë të tensionuar. Për këtë arsye, si zgjidhje më e moderuar përmendet mundësia e ndryshimeve apo shtesave në Kodin e Procedurës Penale, ku mund të përcaktohen më qartë kriteret për pezullimin e anëtarëve të qeverisë apo të zyrtarëve të tjerë të zgjedhur, pa cenuar drejtpërdrejt kompetencat e institucioneve të drejtësisë.

Megjithatë, edhe kjo rrugë ngre dilema të reja. A mund të mbyllen boshllëqet e krijuara nga praktikat e drejtësisë së re vetëm me ndërhyrje ligjore të njëpasnjëshme? Apo çdo “arnim” i ri rrezikon të shembë të gjithë konstruksionin institucional, duke e futur mazhorancën në një krizë më të thellë?

Ajo që tashmë duket e qartë, jo vetëm brenda radhëve të mazhorancës por edhe nga zëra të shumtë të opinionit publik – gazetarë, analistë dhe juristë – është kërkesa për një draft më të gjerë dhe më kompleks rregullimesh në sistemin e drejtësisë. Kjo kërkesë lidhet veçanërisht me masat e arrestit preventiv dhe konfiskimin e pajisjeve private elektronike për qëllime hetimore, çështje që nuk mund të zgjidhen thjesht me shtesa të fragmentuara në Kodin e Procedurës Penale.

Në çdo rast, kjo betejë nuk pritet të jetë e lehtë për Edi Ramën dhe mazhorancën, jo vetëm në planin e brendshëm politik, por sidomos në raport me faktorët ndërkombëtarë.

Megjithatë, ajo shihet si një përballje e pashmangshme, e cila, si çdo betejë e tillë, pritet të prodhojë jo vetëm fitues, por edhe viktima politike, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE