
Deputeti demokrat, Dashnor Sula ka dalë në mbrojtje të fermerëve dhe blegtorëve, të cilët sot protestuan duke derdhur qumështin.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social “Facebook” Sula shkruan se fermerët kërkojnë të drejtat e tyre, ndërsa i bëri thirrje qeverisë që t’i dëgjojë me vëmendje ata dhe ti plotësojë kërkesat.
“Nuk janë teka, por kërkesa jetike për të mos “vdekur” nga konkurrenca”, shkruan Sula, i cili thekson se “qeveri i ekspozon të brishtë përball konkurrenteve dhe në rastin më të keq i sulmon me politikat e veta”.
Postimi i plotë i Sulës:
Me fermerët! Përtej këtyre skandaleve me vjedhje në tendera e investime strategjike, sot pati një ngjarje shumë shqetësuese (Për problematikën), protesta e fermerëve.
Dhjetëra fermerë e blegtorë të myzeqesë dolën me traktorët në autostradën Lushnje-Fier për të kërkuar të drejtat e tyre. Unë jam plotësisht në krahun e tyre dhe bëj thirrje ndaj qeverisë që ti dëgjoj me vëmendje e ti plotësojë kërkesat!
Nuk janë teka, por kërkesa jetike për të mos “vdekur” nga konkurrenca.
Bujqësia krijon 40% të vendeve të punës dhe afro 20% të prodhimit të brendshëm bruto. Por pavarësisht këtyre shifrave që tregojnë rëndësinë e këtij sektori, qeveria i ekspozon të brishtë përball konkurrenteve dhe në rastin më të keq i sulmon me politikat e veta.
