LAJME / E Martë 11 Gusht 2026, 23:11

Plagosje në Gjakovë, publikohen pamje kur dy persona ndjekin një tjetër

Pamje të reja janë publikuar nga rasti i plagosjes me armë zjarri në Gjakovë, ku një person mbeti i lënduar pasditen e sotme, ndërsa një i dyshuar është arrestuar nga Policia e Kosovës.

Në pamjet që kallx.com i ka publikuar shihet një situatë e tensionuar, ku dy persona vrapojnë pas një personi tjetër, ndërsa njëri prej tyre shihet duke mbajtur në dorë një objekt që duket si armë.

Incidenti është raportuar rreth orës 16:10, në rrugën “Dëshmorët e Hereqit” në Gjakovë.

Sipas informacioneve të konfirmuara më herët nga Policia, si pasojë e incidentit një person ka mbetur i plagosur dhe ka pranuar trajtim mjekësor.

Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Vlera Krasniqi, ka bërë të ditur se pas marrjes së informatës, njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

Policia ka arritur gjithashtu ta arrestojë një person të dyshuar në lidhje me rastin.

Sipas autoriteteve, personi i plagosur dhe i dyshuari janë të moshës madhore dhe shtetas të Republikës së Kosovës.

Pamjet e publikuara pas incidentit pritet të jenë pjesë e materialeve që mund t’u ndihmojnë hetuesve në rindërtimin e dinamikës së ngjarjes dhe në përcaktimin e rolit të personave që shihen në video.

Ende nuk është bërë i ditur motivi që çoi në përplasjen mes personave dhe as nëse personat e tjerë që shfaqen në pamje janë identifikuar apo intervistuar nga Policia.

Po ashtu, nuk është bërë e ditur nëse arma që shihet në pamje është ajo që dyshohet se është përdorur gjatë plagosjes.

Njësitet kompetente të Policisë së Kosovës po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rastit, ndërsa pritet që detaje të tjera të bëhen të ditura pas përfundimit të veprimeve të para hetimore, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE