
Në një intervistë të veçantë për emisionin “Dekalog”, studiuesi dhe aktori Pjetër Logoreci rikthen në vëmendje dokumente dhe kujtime të rralla, duke hapur arkiva personale dhe ato të shtetit austriak për të hedhur dritë mbi momente kyçe të historisë shqiptare.
Si pasardhës i një prej familjeve më të njohura të Shkodrës, Logoreci rrëfen jo vetëm përjetimet e dhimbshme gjatë persekutimit komunist, por edhe punën e tij të palodhur për të ndriçuar figura të rëndësishme kombëtare si Dom Nikollë Kaçorri dhe Aleksandër Moisiu.
Rrëfimi nis me historinë e pasur të familjes Logoreci, një emër i lidhur ngushtë me zhvillimin e arsimit dhe artit shqiptar. Nga Mati Logoreci, mësues dhe gjuhëtar i shquar, deri te Marie Logoreci, figurë ikonike e kinemasë shqiptare, ai sjell për publikun materiale të rralla, përfshirë fotografi të panjohura nga arkivi i Pietro Marubit. Në këtë rrëfim përshkruhet edhe Shkodra e dikurshme, një qytet me frymë perëndimore, që përbënte një nga qendrat më të rëndësishme kulturore të shqiptarisë dhe që kishte lidhje të forta me Austro-Hungarinë.
Si një nga pjesëmarrësit aktivë në lëvizjet demokratike në Shkodër, Logoreci ndalet tek ngjarjet dramatike të 2 Prillit 1991, ku humbën jetën katër qytetarë. Ai përshkruan tensionin dhe shpresën e asaj kohe për ndryshim, ndërsa sjell edhe një element që ngre pikëpyetje: praninë e gazetarëve dhe kamerave nga Mali i Zi në Hotel Rozafa një natë para ngjarjes. Sipas tij, kjo mund të lë të kuptohet se ajo që ndodhi nuk ishte krejt spontane, por mund të ketë qenë e parapërgatitur nga faktorë të caktuar, përfshirë edhe ndikime të jashtme. Ai ndan gjithashtu zhgënjimin për mënyrën se si u zhvilluan proceset gjyqësore më pas.
Një nga arritjet më domethënëse të tij është gjetja dhe kthimi në atdhe i eshtrave të Dom Nikollë Kaçorrit, një nga figurat kryesore të shtetit shqiptar. Logoreci përshkruan emocionin e momentit kur eshtrat u zbuluan në varrezat e Vjenës, të mbuluara me flamurin shqiptar që kishte mbijetuar ndër vite. Ai rrëfen sfidat burokratike, mungesën e mbështetjes nga institucionet shqiptare dhe faktin që projekti u mbështet financiarisht nga shteti austriak. Një nga momentet më të forta mbetet mbërritja e eshtrave në Rinas, pa ceremoni zyrtare, çka sipas tij tregon mungesën e vlerësimit institucional ndaj figurave historike.
