
Një video e publikuar një ditë më parë nga deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka bërë “lëmsh” median dhe rrjetin, duke shkaktuar një valë reagimesh.
Në pamjet e shkëputura nga një aktivitet i zhvilluar në Biblotekën e Qytetit të Lushnjës, ku poeti Neki Ngucaj promovoi kolanën e tij prej 18 librash me poezi, vajza e tij, u shfaq duke recituar një poezi ku teksa e dëgjoje të jepte përshtypjen se ishin duke u thurur lavde për diktatorin Enver Hoxha.
Mirëpo, mbrapa gjithë asaj poezie dhe atyre vargjeve fshihet një histori krejt tjetër.
Vajza e poetit që shfaqet në video është një prej katër vajzave të një familjeje të përndjekur nga regjimi komunist. Poezia që ajo recitoi nuk u soll si homazh për diktatorin, por si një kujtim ironik i një kohe kur nxënësit detyroheshin të recitonin e këndonin për Enver Hoxhën.
Madje, sipas rrëfimit të një komentueseje që pretendon se e njeh nga afër historinë e familjes, vetë poezia ishte shkruar nga i ati i saj, në atë kohë, pikërisht si një ironi ndaj sistemit.
“O njerëz që komentoni pa ditur asgjë, më vjen keq sinqerisht. Këto vajza janë katër motra të një njeriu shumë të nderuar dhe të persekutuar deri në palcë nga ish-regjimi. Sot u promovuan librat që ka shkruar babai i tyre dhe kjo vjershë ishte e kohës kur ndërroi jetë diktatori. Vajza e recitonte para shkollës. Ishte nxënëse e dalluar, por pa të drejtë për të ndjekur shkollën e lartë nga sistemi”, shkruan komentuesja ndër të tjera.
Teksa më tej ajo ka bërë me dije se edhe gjyshi i katër vajzave, ishte pushkatuar nag regjimi komunist kur i biri, babai i tyre, ishte vetëm 10 vjeç. Më pas edhe vajzat e Neki Ngucajt, ndonëse me rezultate të shkëlqyera në mësime, u përballën me kufizimet që regjimi u vendoste familjeve të konsideruara “të deklasuara”.
