LAJME / E Martë 17 Mars 2026, 08:08

Për ata që pyesin, ku e gjeti guximin Ambrozia t’i kundërvihej Ramës

Pushteti që nuk pyetet më, fillon të duket si fat.

Ngordh muskuli i reagimit dhe lëshohet vaji i dorëzimit: “Ky fat na ra, ç’na gjeti me këtë, pse ky mallkim, ç’kusure po lan ky brez!”

Fatalizëm i injektuar me çdo mënyrë për të shmangur tmerrin më të madh të një pushteti pervers: llogaridhënien.

Pushteti që normalizon mos dhënien e llogarisë, herët a vonë fillon të besojë se nuk ka më kujt t’i përgjigjet.

Komisionet hetimore parlamentare, konferencat për shtyp, raportimi tek institucionet e pavarura, referendumet, hetimi nga drejtësia, protestat, të gjitha konsiderohen instinkte primitive, provokime sabotuese, gjëma të shmangshme.

Duke ushtruar fort këtë filozofi perverse, pushteti mësohet kaq keq, sa qetësinë ndërsa zhvat e shpopullon egër vendin e ngatërron me legjitimitetin për mos ta ndalur kurrkush.

Por kur pushteti qe mësuar të jetojë pa këto “shqetësime” banale, në kulmin e arrogancës ai tradhton veten dhe trembet nga gjëja më e vogël që s’mund ta kontrollojë: një gazetare, një qytetare që guxon ta pyesë  sy më sy.

Këtu hyn Ambrozia, që bën diçka për të cilën pushteti ishte investuar me gjithçka që  të harrohej: kërkon llogari. Nuk bën asnjë gabim gazetaresk, përkundrazi. Me një breshëri legjitime pyetjesh i hap sytë njerëzve se ky pushtet duket i madh vetëm sepse institucionet rreth tij janë bërë të vogla.

Mjaftoi një mikrofon dhe një vendosmëri për të çuar disa pyetje deri në fund edhe kur kolegët e braktisën për të parë me sy e dëgjuar me veshë shkërmoqjen psiqike dhe rrënimin cerebral të pushtetit nga kujtesa publike se duhet të japë llogari.

Prandaj mbrojtja e Ambrozias është domosdoshmëri, sepse dëshmoi lehtësinë e papërballueshme të parimit më elementar: pushteti ekziston për t’u kontrolluar.

Çështja nuk është ku e gjeti guximin Ambrozia, por si arriti ky pushtet absolut e arrogant që s’pyet më për institucione e ndërkombëtarë të trazohet, dridhet e shpërfytyrohet nga zëri i një qytetareje?

Kjo është arsyeja pse reagimi ndaj Ambrozias është kaq nervoz. Sepse ajo nuk është thjesht gazetare, por simptoma e kupës së mbushur në boshllëkun institucional.

Prandaj ju pëlqen a jo Ambrozia, ju bezdis a jo ngjyra e zërit të saj, kjo nuk është çështje gustosh, por e refleksit institucional të shoqërisë mu brenda kryeministrisë.

Se këtu mbërritëm me a pa dashje, në paradoksin ku një gazetare bën atë që duhet ta kishin kryer me kohë parlamenti, SPAK-u dhe mekanizmat e kontrollit.

Kjo pra kjo është arkitektura e vërtetë e pushtetit. Kjo karakatinë, që ngjan e madhe vetëm gjersa qytetarët vendosin të mos jenë të vegjël, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE