LAJME / E Premte 11 Shtator 2026, 23:11

“Nuk do bëhem mbret”, Rama: Ja kur do të largohem nga posti i kryeministrit

Edi Rama, duke folur në podcastin e tij “Flasim”, ka deklaruar edhe momentin kur, sipas tij, do të largohet nga politika dhe nga detyra e kryeministrit.

Rama tha se nuk synon të qëndrojë në pushtet pafundësisht ose të bëhet mbret, duke theksuar se arsyeja pse vijon të jetë në politikë lidhet me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Unë nuk jam këtu për t’u bërë mbret ose për të qëndruar në pafundësi. Unë jam këtu vetëm sepse e shoh të hapur derën e Bashkimit Evropian dhe në momentin që unë, me ndihmën e Zotit dhe të shqiptarëve, e kapërcej pragun e asaj dere, ju do të shpëtoni nga unë”, deklaroi Rama.

Sa i përket qëndrimit të tij të gjatë në pushtet, Rama tha se në demokracitë parlamentare nuk ka kufi mandatesh për kryeministrin.

“Demokracitë parlamentare nuk e kufizojnë mandatin e kryeministrit, nuk kanë kufi për mandatin e kryeministrit, se është pa kuptim. Kryeministri është shprehje e shumicës. Është shumica që vendos kë zgjedh dhe normalisht shumica zgjedh atë që fiton”, tha Rama.