LAJME / E Diel 24 Maj 2026, 11:11

Nga rusët te Grenell dhe “pazaret” me Ramën, gazeta belge: Çfarë fshihet pas projektit të Kushner për Sazanin?

Media belge “De Morgen” ka publikuar një reportazh të gjatë mbi projektet turistike të lidhura me Jared Kushner dhe Ivanka Trump në ishullin e Sazanit dhe Zvërnec, duke ngritur shqetësime për ndikimin që këto investime mund të kenë mbi natyrën dhe zonat e mbrojtura të Shqipërisë. Artikulli ndalet te planet për ndërtimin e një resorti luksoz në Sazan dhe mijëra njësive turistike në Zvërnec, ndërsa ambientalistët paralajmërojnë për rrezik ndaj specieve të rralla si foka mesdhetare, breshkat e detit dhe pelikanët kaçurrelë.

Sapo Lejdi Shehaj ndez motorin e skafit të tij, me gjashtë turistë në bord, ai rrit menjëherë volumin e muzikës. Nga altoparlantët shpërthen një miks veror këngësh, nga “Vamos a la playa” te “Ma Tnsani”, një këngë ritmike afro-house.

“E dua punën time”, bërtet ai mbi zhurmën e motorit. “Muzikë, qejf, not. Dhe sigurisht vajzat e bukura”, vijon.

Shehaj, 25 vjeç, ende i veshur me një xhup të trashë dimëror në fillim pranvere, qesh me djallëzi.

Skafi kërcen mbi dallgët drejt Sazanit, ishullit të vetëm mesdhetar të Shqipërisë. Shkëmbinj të thepisur ngrihen mbi detin bojëqielli, ndërsa pishat lëkunden nga era. Për një kohë të gjatë, ky ishull strategjik, që kontrollon hyrjen në Adriatik, ishte territor ushtarak shqiptar. Edhe sot, disa ushtarakë vazhdojnë të ruajnë zonën.

Por ndryshime të mëdha po afrohen.

“Vajza e Donald Trump do të ndërtojë këtu një projekt të madh”, thotë Shehaj, duke shijuar qartë habinë e turistëve. “Do të ketë hotele, restorante”, vijon ai.

Ai është shumë i lumtur për investimin e paralajmëruar.

“Njerëzit në Shqipëri nuk kanë para për ta bërë këtë. Vetëm Ivanka i ka. Është një investim i mrekullueshëm. Do të sjellë më shumë turistë dhe më shumë vende pune”, shprehet ai.

Po kafshë a ka në këtë ishull, që ruan një natyrë të paprekur si pak vende të tjera në Mesdhe?

“Qen dhe gomarë”, bërtet Shehaj, ndërsa skafi merr sërish shpejtësi mbi dallgë.

A ka parë ndonjëherë foka deti aty?

Jared Kushner dhe Ivanka Trump, dhëndri dhe vajza e presidentit amerikan Donald Trump, mbërritën rastësisht në Shqipëri në vitin 2021. Ata po udhëtonin me jahtin luksoz të një miku gjatë pushimeve në Mesdhe.

“Ishte sikur vetë peizazhi donte të më tregonte potencialin e tij, me bukurinë e jashtëzakonshme natyrore”, tha Kushner vitin e kaluar në një forum investimesh në Tiranë.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, i njohur për orientimin e tij pro-perëndimor, shkoi menjëherë në jaht me kërkesë të Kushnerit. Ata folën për të kaluarën diktatoriale të Shqipërisë dhe për vizionin e Ramës për transformimin e vendit.

Takimi la aq shumë përshtypje te Kushner, sa ai vendosi të investonte në Shqipëri. Në vitin 2024, ai bëri publik planin përmes mediave amerikane.

Përmes kompanisë së tij “Affinity Partners”, Kushner ka rënë dakord me qeverinë shqiptare të investojë të paktën 1.4 miliardë dollarë në Sazan. Projekti parashikon ndërtimin e një resorti ultra-luksoz për elitën ndërkombëtare, që do të menaxhohet nga “Aman Resorts”, kompani në pronësi të biznesmenit rus Vlad Doronin.

Resorti do të zërë rreth 8% të sipërfaqes së ishullit. Projektet paraprake tregojnë apartamente me veranda dielli të fshehura mes shkëmbinjve të bregut.

Kushner menaxhon miliarda dollarë investime, kryesisht nga fondi sovran i Arabisë Saudite, por edhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari. Gjatë mandatit të parë të Trump, ai krijoi lidhje të forta në Lindjen e Mesme dhe luajti rol kyç në Marrëveshjet Abraham.

Në projektin shqiptar është përfshirë edhe diplomati amerikan Richard Grenell, dikur i dërguar special për dialogun Kosovë-Serbi dhe sot pjesë e administratës Trump.

Investitorët amerikanë nuk do të blejnë tokën. Shteti shqiptar do të mbetet aksioner dhe do të japë territorin, ndërsa investitorët do të ndërtojnë infrastrukturën: marinën, energjinë elektrike, kanalizimet dhe furnizimin me ujë.

“Nëse ky investim realizohet, do të jetë xhevahiri i Mesdheut”, deklaroi Rama për Wall Street Journal në vitin 2024.

Kostandin Xhaho tund kokën me dëshpërim.

“Sazani është habitat i fokës mesdhetare murgeshë, një nga gjitarët detarë më të rrallë në botë”, thotë ambientalisti 33-vjeçar, vullnetar në organizatën PPNEA.

Kjo fokë mund të arrijë deri në 400 kilogramë dhe konsiderohet specie e rrezikuar nga zhdukja. Në botë besohet se kanë mbetur më pak se 600 ekzemplarë të rritur.

“Kemi dokumentuar pesë ekzemplarë rreth Sazanit”, thotë Xhaho.

Me kamerat që ka vendosur në shpellat detare të ishullit, ai ka vëzhguar fokat që rikthehen për muaj të tërë në të njëjtat vende për të pushuar.

Por shqetësimi i tij nuk kufizohet vetëm te Sazani.

Edhe gadishulli i Zvërnecit është në qendër të planeve amerikane. Atje parashikohet ndërtimi i dhjetë mijë njësive turistike, përfshirë vila dhe hotele të mëdha.

Zona është një nga pjesët më të egra dhe më të paprekura të bregdetit shqiptar. Plazhe të braktisura, shkëmbinj të gdhendur nga era dhe uji, laguna të mbuluara nga lule pranverore dhe koloni zogjsh të rrallë.

Mes gjithë kësaj natyre, tashmë janë shfaqur edhe kullat e shpimit dhe makineritë e para të ndërtimit.

“Këtu do të ndërtohet kazino”, thotë Xhaho me zhgënjim.

Pak kohë pas vizitës sonë, buldozerët nisën të çajnë dunat e rërës.

Sipas PPNEA dhe BirdLife Europe, kjo po ndodh pa transparencë të plotë për lejet, pa konsultim publik dhe pa studime të qarta mjedisore.

Xhaho kujton se verën e kaluar zgjohej çdo ditë në orën 3 të mëngjesit për të kontrolluar foletë e breshkës së detit “caretta caretta”, gjithashtu specie e rrezikuar.

Ai i zhvendoste vezët më lart në plazh, larg dallgëve. Përpjekjet dhanë rezultat: numri i foleve u rrit në shtatë.

“Shumica ishin në zonën e Jared Kushner”, thotë ai me keqardhje.

“Ato kanë nevojë për errësirë. Së shpejti këtu nuk do të ketë më errësirë”, vijon ai.

Sipas tij, Shqipëria rrezikon të humbasë pikërisht atë që i tërheq turistët: “Njerëzit vijnë këtu sepse vendi është i egër dhe i paprekur. Kush do të vijë kur të ndërtohet gjithçka?”

Zvërneci është zonë e mbrojtur natyrore, ndërsa edhe deti përreth Sazanit ka status të mbrojtur.

Por qeveria shqiptare ndryshoi ligjin në vitin 2024, pak javë para shpalljes së planeve të Kushnerit, duke lejuar ndërtimin e hoteleve me pesë yje në zona të mbrojtura.

Një tjetër ligj për “investimet strategjike”, i miratuar fillimisht si masë e përkohshme në vitin 2015 dhe i zgjatur deri në 2027, u jep investitorëve si Kushner procedura më të lehta për lejet mjedisore.

Në fillim të këtij viti, 41 organizata europiane të mjedisit i dërguan letër Ramës dhe ministrit shqiptar të Mjedisit, duke shprehur “shqetësim serioz” për projektin në Sazan.

Ambientalistët paralajmërojnë se zhurma, ndotja, dritat artificiale dhe prania masive e njerëzve do të largojnë speciet e rralla.

Analistja Iliriana Gjoni nga “Carnegie Europe” thotë se Bashkimi Europian duhet të reagojë më fort.

“Shqipëria po ecën drejt anëtarësimit në BE, por këto projekte bien ndesh me standardet europiane për mjedisin dhe shtetin ligjor.”

Ajo e quan këtë një shembull tipik të “kapitalit gërryes”, ku investimet e mëdha anashkalojnë rregullat dhe dobësojnë institucionet.

Nëse i afrohesh Zvërnecit nga autostrada, mund të shohësh papritur në qiell disa silueta të mëdha që duken si flamuj që lëkunden ngadalë.

Janë pelikani kaçurrel, një nga speciet më të rralla të zogjve në Europë.

Edhe ata rrezikohen nga zhvillimi turistik.

Laguna e Nartës, ku ushqehen pelikanët, flamingot dhe shumë zogj të tjerë migratorë, është një nga zonat më të rëndësishme natyrore të Mesdheut.

Por pikërisht pranë saj po ndërtohet aeroporti i ri ndërkombëtar i Vlorës.

Zona dikur ishte pjesë e peizazhit të mbrojtur Vjosa-Nartë, por qeveria shqiptare ia hoqi statusin në vitin 2024.

“Ky aeroport është ideja më e shëmtuar dhe më budallaqe në gjithë Shqipërinë”, thotë eksperti i zogjve Joni Vorpsi nga PPNEA.

“Por është projekti personal i kryeministrit. Ai e premtoi gjatë fushatës”, shton ai.

Komisioni Europian ka shprehur shqetësim për projektin dhe ka kërkuar studime të plota mjedisore.

Në pyllin me pisha pranë Zvërnecit ndodhet restoranti “Ivanka Seafood”. Pronari, Ksenofon Panajoti, tregon se emri lidhet me Ivanka Trump.

“Një ditë kaluan këtej dhjetëra makina me polici. Në njërën ishte Ivanka. Dhe shpresoj që pas saj të vijnë turma turistësh”, tregon ai.

Megjithatë, ai ka edhe frikë: “Kam frikë se do të vuajmë nga ardhja e saj. Sepse ne duhet të largohemi.”

Kritikat e tij drejtohen kryesisht ndaj qeverisë shqiptare: “Pse qeveria ndihmon vetëm investitorët e mëdhenj dhe jo ne?”

Shumë analistë besojnë se Rama po i përdor këto projekte edhe për interesa politike.

Sipas ekonomistit Zef Preçi, kryeministri kërkon njëkohësisht zhvillim ekonomik, favore për oligarkët vendas dhe lidhje të forta me figura ndërkombëtare si familja Trump.

“Ai ndien se presioni nga hetimet për korrupsion po afrohet. SHBA financojnë strukturat shqiptare kundër korrupsionit. Rama mund të shpresojë se lidhjet me Shtëpinë e Bardhë do ta mbrojnë”, shprehet ai.

Megjithatë, protesta të mëdha kundër projekteve ende nuk ka pasur. “Forma më e lartë e protestës është largimi”, thotë Preçi.

Popullsia e Shqipërisë ra nga 3 milionë banorë në vitin 2001 në rreth 2.4 milionë në vitin 2023.

“Njerëzit nuk shohin më shpresë dhe largohen”, shton ai.

Edhe Kostandin Xhaho e sheh të njëjtën gjë: “Shumica ikin në Gjermani apo Itali. Nuk u intereson nëse zhduket natyra. Ata mendojnë vetëm se ndoshta mund ta shesin shtëpinë më shtrenjtë nëse vijnë investimet”.

Dhe kështu, në të ardhmen, jo vetëm breshkat, fokat dhe pelikanët mund të zhduken nga kjo pjesë e Shqipërisë, por ndoshta edhe vetë banorët e zakonshëm shqiptarë. /Përshtati ‘Pamfleti’ nga ‘De Morgen’  do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE