
Një ngjarje e rëndë është parandaluar nga policia në Tiranë, ku bëhet me dije se një 56-vjeçar është arrestuar pasi ka kërcënuar me jetë kushëririn e tij dhe familjen e këtij të fundit.
Policia bën me dije se pronari i banesës ka gjetur në portën e shtëpisë një fishek dhe një letër me përmbajtje kërcënuese për jetën e tij dhe familjarëve, me qëllim për t’i marrë shumën prej 300 000 eurosh.
Pas kallëzimit të bërë, policia ka reaguar menjëherë dhe ka arrestuar 56-vjeçarin Ardian Muka. Gjatë kontrolleve në banesën e këtij të fundit, janë gjetur municion luftarak, veshjet e përdorura gjatë ngjarjes dhe një aparat celular.
Vorë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Mesazhi”.
Kanosi kushëririn e tij dhe familjarët e tij, me qëllim për t’i marrë shumën prej 300 000 euro, arrestohet në flagrancë 56-vjeçari.
Sekuestrohen municion luftarak, veshjet e përdorura gjatë ngjarjes dhe një aparat celular.
Pas kallëzimit të bërë nga shtetasi E. M., se në portën e banesës së tij, në fshatin Gërdec, kishte gjetur një fishek dhe një letër me përmbajtje kërcënuese për jetën e tij dhe familjarëve, me qëllim për t’i dhënë shumën prej 300 000 eurosh, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 7, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda nën drejtimin e Prokurorisë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Mesazhi” me qëllim identifikimin e autorit dhe dokumentimin e rastit.
Në kuadër të operacionit u bë e mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasit A. M., 56 vjeç, banues në Vorë.
Ky shtetas, nëpërmjet kanosjes për jetën, ka kërkuar nga kushëriri i tij, shtetasi E. M., dhënien e shumës prej 300 000 eurosh, duke kanosur gjithashtu edhe familjarët e tij.
Gjatë kontrollit të banesës së tij u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, municion luftarak, veshjet e përdorura gjatë ngjarjes dhe 1 aparat celular.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, shpërthyese dhe municionit”.
