
Gjermania ka paralajmëruar për pasojat e rënda ekonomike që mund të sjellë përshkallëzimi i luftës në Iran, si dhe për rrezikun nga një bllokadë e mundshme e Ngushticës së Hormuzit – një prej rrugëve më të rëndësishme detare për transportin global të naftës dhe gazit.
Deklarata është bërë nga zëvendëskancelari dhe ministri gjerman i Financave, Lars Klingbeil, përpara nisjes drejt Parisit, ku po mbahet takimi i ministrave të financave të vendeve të G7.
Sipas tij, lufta në Lindjen e Mesme përbën një “kërcënim serioz për ekonominë globale” dhe po ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik ndërkombëtar. Ai theksoi se duhet bërë gjithçka për t’i dhënë fund konfliktit, për të stabilizuar rajonin dhe për të garantuar lirinë e rrugëve detare.
“Si evropianë, ne vazhdojmë t’i japim përparësi bashkëpunimit dhe jo konfrontimit”, deklaroi Klingbeil, sipas agjencisë gjermane DPA.
Në fokus të takimit të G7 pritet të jenë ndikimet ekonomike të konfliktit në Lindjen e Mesme, sidomos efektet që mund të ketë në tregtinë globale, furnizimin me energji dhe zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit.
Klingbeil shtoi se situata aktuale tregon nevojën që Gjermania dhe Evropa të bëhen më të pavarura dhe më elastike, veçanërisht në sektorët e energjisë, lëndëve të para dhe ekonomisë strategjike, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
