
Një stuhi e fortë goditi gjatë natës rajonin e Romagna në Itali, duke shkaktuar dëme të mëdha në zonat bregdetare Ravenna, Forlì-Cesena dhe Rimini. Pavarësisht paralajmërimit të nivelit të verdhë, intensiteti i fenomenit meteorologjik ishte i papritur, duke ngjallur frikë dhe panik në shumë zona. “Duket si një uragan”, thanë autoritetet, raporton La Repubblica.
Shiu i rrëmbyeshëm, breshëri dhe erërat e fuqishme shkaktuan përmbytje në rrugë, bodrume dhe garazhe, ndërsa shumë pemë u rrëzuan mbi makina dhe rrugë, duke bllokuar qarkullimin. Plazhet u boshatisën.
“Një stuhi filloi rreth orës 1:20 të mëngjesit në lindje të Ferrarës dhe u intensifikua përgjatë bregdetit të Ferrarës. Pasi goditi shpejt qytetin e Ravenës, ajo vazhdoi në jug, duke prekur të gjithë Rivierën e Romagnës. Nga Cesenatico, por veçanërisht nga Gatteo dhe Bellaria Igea Marina në Rimini dhe më pas në Riccione dhe Cattolica, ishte shumë e dhunshme me erëra shumë të forta. Të dhënat: erëra me shpejtësi 123 km/orë në Bellaria, 121 në Rimini, 106 në Gatteo Mare.”, tha Shërbimi Meteorologjik i rajonit.
Më i goditur ishte Milano Marittima në Ravenna, ku ndodhi një ‘shpërthim’ i fuqishëm ere që çoi në rrëzimin e pishave dhe paralizoi përkohësisht vendin. Në Rimini, ra 75 mm shi në pak minuta, duke përmbytur nënkalime dhe zona të tëra urbane.
Në linjën hekurudhore mes Riminit dhe Cesenaticos, qarkullimi u pezullua për gjashtë orë për shkak të një peme të rënë mbi binarë. Një tren me 23 pasagjerë, i bllokuar nga një pemë e rrëzuar në linjën Bellaria-Igea Marina, u evakuua në orët e para të mëngjesit.
Fatmirësisht, nuk ka të lënduar të raportuar dhe moti është përmirësuar, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
