LAJME / E Hënë 18 Maj 2026, 17:05

MJERIMI I KRYEMINISTRIT EDI RAMA QE SHËRBEN SI ARGAT I SERBISË DHE ALEKSANDËR VUÇIÇIT

Nga Agim Nesho
Shkrimi i fundit në gazetën gjermane FAZ nga Rama-Vuçiç nuk kishte vlerën e sugjerimit të një alternative të re për procesin e zgjerimit të BE-së. Ky propozim mund të bëhej me Malin e Zi ose vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat e kanë jetike bashkimin me familjen europiane.

Së pari, dështimin e plotë në arritjen e standardeve europiane të dy autokracive ballkanike, sidomos në funksionimin e shtetit të së drejtës, lirinë e mediave, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Integrimi europian mbetet vetëm një propagandë për ta shitur në opinionin publik për të justifikuar pushtetet e tyre korruptive dhe kleptokratike.

Së dyti, rikthim në projektet e tyre të hershme të Ballkanit të Hapur dhe zgjidhjeve të reja gjeopolitike për ndryshimin e kufijve, që do t’u mundësonte dy autokratëve ballkanikë një hapësirë lirie të pakontrolluar, një qeverisje pa transparencë dhe llogaridhënie, si dhe konsolidimin e pushteteve të tyre me mënyra dhe mjete jo-demokratike për ta shtypur revoltën popullore që ka shpërthyer në të dy vendet për të rikthyer funksionimin e shtetit ligjor, mundësimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, lirinë e shprehjes dhe luftën kundër korrupsionit.

Së treti, tregon ndërvarësinë e Ramës nga Vuçiç, i cili në momentet më kritike të regjimit të Beogradit keqpërdor autoritetin e tij kryeministror për të justifikuar politikat e Vuçiç pro regjimit të Moskës dhe kundër BE-së, për të favorizuar pushtetin e tij kur studentët dhe populli nuk e pranojnë më, si dhe për ta shpëtuar Beogradin nga kërkesa kryesore e BE-së që të njohë Republikën e Kosovës si parakusht për integrimin europian. Kjo tregon që lidhjet Rama-Vuçiç kanë qenë të thella dhe jo transparente, për interesa pushteti dhe jo interesa kombëtare.

Së katërti, shkrimi i Ramës me Vuçiç është jo vetëm një presion ndaj BE-së për të bërë lëshime, por e detyron atë që të gjejë një zgjidhje të përbashkët për gjithë integrimin e rajonit, duke penguar vende si Mali i Zi për një integrim të barabartë, të orientuar nga vlerat dhe në bazë të meritave.

Në të njëjtën kohë për Ramën dhe Vuçiç është fillimi i një strategjie daljeje, për t’u larguar nga BE duke e fajësuar atë për mungesë zgjidhjeje. Rama ka pranuar zgjidhjen me Vuçiç dhe nacionalizmin serb, duke menduar që Europa është e dobët dhe e ndarë, dhe fuqitë e mëdha do të detyrohen të gjejnë zgjidhje për Ballkanin Perëndimor, të kërkuara nga serbo-rusët. Ai pranon të jetë edhe argat i Vuçiç, vetëm të mbetet në skemën për ruajtjen e pushtetit të tij.

Kosova për të nuk është pjesë e atdheut të shenjtë, por një mjet për të negociuar. Prandaj ai tregohet aktiv për të treguar që është prezent në gjithë hapësirat shqiptare dhe ai është përfaqësuesi i tyre. Ai merr iniciativën për mbrojtjen e udhëheqësve të UÇK-së, kur ka qenë ai që projektonte Ballkanin e Hapur me Vuçiç atëherë kur skenarët kundër UÇK-së përpunoheshin në Beograd; ishte ai që përkrahte Abazoviç, kur ky i fundit pranoi kishën serbe në Mal të Zi; ishte ai që ndau shqiptarët në Maqedoninë e Veriut duke përkrahur ata që njihnin Ballkanin e Hapur si pjesa e moderuar e shqiptarëve.

Edi Rama jo vetëm nuk e mendon Shqipërinë në BE, por është kundër këtij procesi. Personi që e ka kthyer Shqipërinë në një plaçkë tregu, që investimet strategjike i bën jashtë hapësirave europiane, që bashkëpunon ngushtë dhe pa transparencë me shtetet arabe, që e ka kthyer Shqipërinë në lavatriçen europiane të pastrimit të parave, etj., nuk ka asnjë perspektivë europiane. Rikthimi i tij tek Vuçiç është rruga e vetme për pushtetin e tij, forcimin e autokracisë elektorale dhe centralizimin e pushtetit të tij personal. Si kameleon politik, ai zhgarravitet njëherë me Europën kundër Presidentit Trump dhe më vonë kundër Europës, sidomos kur ajo është kritike, si entuziasti i Bordit të Paqes. Njëherë bëhet ithtar i bashkëpunimit me Erdoganin dhe herën tjetër përdoret nga qarqe politike të Jeruzalemit për lojën e tyre politike. Ai është kampioni i figurave kontraversiale në historinë e Shqipërisë, duke tejkaluar Haxhi Qamilin dhe Esat Pashën.

Kritika e fortë e bërë nga zonja Gërvalla është klithma e dhimbjes së fshehur të çdo shqiptari të Kosovës, që shikon kryeministrin e vendit të tyre amë të harrojë dhe lërë Kosovën, duke gjetur zgjidhje tek Vuçiç dhe nacionalizmi serb. Kritikat ndaj Kurtit për mospranimin e asociacionit, të cilin e paraqiti vetë; justifikimi i Vuçiç për agresionin shtetëror në Banjskë, si pjesë e një territori të askujt; Ballkani i Hapur dhe pranimi i skenarit të ndarjes së kufijve, tregon se vizioni i Ramës ndaj çështjes kombëtare kalon nga interesat nacionaliste të Vuçiç për paqen në Ballkan.

Ai bën rezolutë për regjimin e mullahëve në Iran, por nuk prek “vijën e kuqe” që Vuçiç i ka vënë për rezolutën për gjenocidin serb në Kosovë. Ai shan Millosheviçin si kasapi i Ballkanit, por nuk prek lejtnantin e tij Vuçiç, me të cilin ka projekte përpara. Ajo që mungon në deklaratën e Donika Gërvallës dhe në aksionin e Albin Kurtit është kufizimi i veprimtarisë së tij në Kosovë dhe qëndrimi i hapur kundër të gjithëve që përdorin interesat e Kosovës për interesa të ngushta pushteti.

Fuqia e pretenduar nga Rama se është lider shpirtëror i shqiptarëve do të ridimensionohet dhe do të bëhet pa vlerë në sytë e komunitetit ndërkombëtar në qoftë se ai pengohet në veprimet e tij, edhe atëherë kur ai luan rolin e patriotit. Është në dobi të çështjes tonë kombëtare në qoftë se të gjitha partitë politike shqiptare vihen në një front për ta larguar atë, që interesat e pushtetit të tij personal i shikon të realizuara në editorialet europiane me Vuçiç, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE