
Lufta e SHBA-së dhe e Izraelit kundër Iranit po e tkurr ekonominë botërore.
Kostot e energjisë po rriten ndjeshëm. Zinxhirët e furnizimit po copëzohen. Dhe nga faturat e energjisë tek ushqimet, konsumatorët po përballen me rritje çmimesh brenda vetëm një muaji.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë thotë se konflikti ka shkaktuar “ndërprerjen më të madhe të furnizimit në historinë e tregut botëror të naftës”, që është regjistruar ndonjëherë deri tani. Po ashtu bllokimi i Ngushticës së Hormuzit po ndërpret furnizimin me plehra kimike, duke rritur çmimet me 30-40% që nga janari.
Shenjat e ngadalësimit të rritjes ekonomike kanë filluar të shfaqen në mbarë botën. Ndërprerjet e mëdha në furnizimet globale me naftë dhe gazin e lëngshëm natyror kanë rritur kostot, veçanërisht për vendet importuese të energjisë.
Dhe në ekonomitë me prodhim madhor, si Gjermania, prodhuesit kanë vënë alarmin. Timo Wollmershäuser, ekonomist pranë Institutit IFO, thotë se “Pasiguritë më të mëdha lidhen me rrjedhën e ardhshme të konfliktit me Iranin. Nëse lufta përshkallëzohet ose zgjatet, çmimet më të larta të energjisë do ta pengonin më tej rimëkëmbjen në Gjermani, zinxhirët e furnizimit mund të ndërpriten dhe tregjet financiare mund të përballen me turbulenca edhe më të mëdha.
Një anketë e kohëve të fundit nga Instituti për Kërkime Ekonomike i Mynihut u drejtoi prodhuesve gjermanë pyetjen: A jeni të shqetësuar për luftën e Iranit? Përgjigja ishte pothuajse unanime: 90% të prodhuesve po përgatiten për ndikimin e kësaj lufte. Sepse ata po e ndiejnë që tani këtë ndikim.
78% e bizneseve të pyetura thanë se po përballen me rritjen e çmimeve të energjisë. 36% po përballen me rrugë transporti të bllokuara dhe mungesa të lëndëve të para. Dhe 24% presin rënie të kërkesës për eksport.
Jo vetëm zinxhirët e furnizimit
Nën presion nuk janë vetëm zinxhirët e furnizimit, por i gjithë sistemi financiar që lidhet me prodhimin. Institutet kryesore ekonomike të Gjermanisë i ulën pritjet e tyre për parashikimin e rritjes ekonomike për vitin 2026në 0.6%, më pak se gjysma e parashikimit të vitit të kaluar.
Inflacioni arriti në 2.7% në mars, niveli më i lartë në dy vjet. Dhe Banka Qendrore e Gjermanisë paralajmëron se përqindja mund të rritet edhe më tej.
Inflacioni dhe rreziqet financiare
Kompanitë janë gjithashtu të shqetësuara për rreziqet financiare, primet më të larta për sigurimet dhe kostot e paqëndrueshme të transportit të mallrave. Ekspertët e ekonomisë ende presin një rritje prej afër 3% këtë vit në shkallë botërore, por inflacioni në vendet e G20-ës mund të arrijë në 4%. Pra edhe pse konflikti është i kufizuar gjeografikisht, pasojat ekonomike ndihen në mbarë botën, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
