LAJME / E Mërkurë 15 Korrik 2026, 19:07

Lirohet nga burgu Rozeta Dobi! Pastruesja që vodhi qindra mijëra euro në banesën e ish-zyrtares Alda Klosi përfitoi nga amnistia

Rozeta Dobi, e dënuar për vjedhjen e një shume të konsiderueshme parash nga banesa e ish-zyrtares së lartë Alda Klosi, është liruar këtë të mërkurë nga burgu i grave në Pojskë, pasi përfitoi nga amnistia penale.

Emri i saj u bë i njohur në fillim të vitit 2023, kur u arrestua nën akuzën e vjedhjes së 120 mijë eurove, 30 mijë dollarëve amerikanë dhe sendeve me vlerë nga banesa ku punonte si pastruese prej disa vitesh.

Hetimet zbuluan një shumë edhe më të madhe parash. Gjatë kontrollit në banesën e Dobit, policia sekuestroi 404 mijë euro, 8500 dollarë amerikanë dhe bizhuteri floriri të fshehura në tubin e aspirimit.

Gjithashtu, u sekuestruan 58150 euro, 7 mijë dollarë, 368 mijë lekë dhe tre automjete, dy prej të cilave dyshohej se ishin blerë me paratë e përfituara nga vjedhja. Dosja mori jehonë të gjerë publike për shkak të shumave të mëdha të parave të sekuestruara, ndërsa hetimet u shtrinë edhe mbi burimin e tyre.

Siç raporton korrespondentja e Top Channe, Dhorjela Çule, pas vuajtjes së një pjese të dënimit, Rozeta Dobi ka lënë qelinë, duke përfituar nga amnistia penale e miratuar së fundmi./ Top Channel, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE