LAJME / E Shtunë 27 Qershor 2026, 21:09

Linja Tiranë-Toronto hap debat në Greqi, mediat fqinje: Aeroporti i Tiranës na ka tejkaluar, Selaniku ka mbetur prapa

“Fluturimet e para transatlantike me rreze të gjatë nga aeroporti i Tiranës kanë filluar”, është titulli kryesor i disa mediave greke në orët e fundit.

Nisja e fluturimeve të para direkte midis Tiranës dhe Torontos është bërë objekt komentesh të gjera në revistat e udhëtimeve, portalet turistike dhe mediat ekonomike që e paraqesin këtë zhvillim si një arritje të rëndësishme për Shqipërinë, ndërsa njëkohësisht ngrenë pyetjen se pse Selaniku nuk ka ende një linjë të drejtpërdrejtë transatlantike.

Në analizat dhe komentet e tyre, mediat greke kujtojnë se në vitin 2016 aeroporti i Selanikut kishte rreth 6 milionë pasagjerë, ndërsa ai i Tiranës vetëm 2.2 milionë. Sot, situata është përmbysur. Falë një politike agresive për të tërhequr linja ajrore me çmime dhe marketing konkurrues, Tirana arriti në 11.6 milionë pasagjerë në vitin 2025, ndërsa aeroporti i Selanikut mbeti nën 8 milionë. Aeroportet e Sofjes dhe Shkupit kanë regjistruar gjithashtu një rritje të ngjashme, raporton korrespondenti i Top Channel, Aleksandër Marku.

Në Greqi, një pjesë e debatit lidhet edhe me politikën e kompanisë gjermane Fraport, administratore e aeroportit të Selanikut si dhe e 13 aeroporteve të tjera në vend, e cila ka deklaruar se tregu i qytetit nuk konsiderohet ende gati për fluturime transatlantike me distanca të gjata.

Disa javë më parë, linja ajrore Ryanair akuzoi Fraport për rritjen e tarifave aeroportuale dhe njoftoi mbylljen e bazës së saj në Selanik gjatë dimrit të vitit 2026, duke zhvendosur kapacitetin në vende si Shqipëria, ku, sipas kompanisë, kushtet janë më konkurruese.

Analistët dhe komentatorët në Greqi theksojnë gjithashtu se politika e aviacionit të vendit vazhdon të jetë kryesisht e përqendruar në Athinë, me Aeroportin Eleftherios Venizelos të kryeqytetit që mbetet porta kryesore për fluturimet ndërkontinentale dhe që vazhdon të thyejë rekorde në turizëm.

Por sipas tyre, zhvillimi i Tiranës tregon se edhe një treg më i vogël mund të tërheqë rrugë të reja ndërkombëtare kur ndjek një strategji aktive për aviacionin dhe turizmin./Top Channel, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE