LAJME / E Martë 6 Maj 2025, 19:07

Laçi tronditet nga armët, gjykata cakton masën “arrest me burg” për autorët

Gjykata e Lezhës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat për Klevis Ndrecën dhe Daniel Gjeloshin, të dy të arrestuar në lidhje me përplasjen me armë të ndodhur pak ditë më parë në Laç, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën katër të tjerë, mes tyre edhe një shitëse ambulante.

Klevis Ndreca ishte i pranishëm në sallën e gjyqit për t’u njohur me vendimin, ndërsa Daniel Gjeloshi, i cili ndodhet nën kujdes mjekësor për shkak të plagëve, u përfaqësua nga avokati mbrojtës.

Pas shqyrtimit të materialeve dhe dëgjimit të palëve, gjyqtari Lirim Buluca e konsideroi të ligjshëm arrestimin e tyre dhe caktoi masën “arrest me burg” për veprat penale të “vrasjes” dhe “mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit”.

Nga të dhënat hetimore rezulton se Klevis Ndreca ndodhej në makinë së bashku me Amarildo Ndojn, ndërsa Daniel Gjeloshi udhëtonte me Liridon Ismailajn dhe Gerald Bitrin.

Sipas hetimeve, konflikti ka nisur pas një përplasjeje të pasqyrave të makinave gjatë lëvizjes. Palët kanë rënë dakord të ndalojnë dhe të sqarohen në një vend të caktuar, por sapo kanë zbritur nga mjetet, Ndreca ka hapur zjarr me armë.

Të dy të rinjtë kanë qëlluar me armë në drejtim të njëri-tjetrit. Nga të shtënat e Klevis Ndrecës mbetën të plagosur tre persona, përfshirë shokun e tij Amarildo Ndoj dhe një shitëse ambulante.

Gerald Bitri, i cili ishte mes të plagosurve, humbi jetën më vonë në spital. Ndërkohë, Daniel Gjeloshi ka qëlluar në drejtim të kundërshtarëve, por nuk ka shkaktuar plagë tek asnjë prej tyre. Në lidhje me kete ngjarje vijojnë ende hetime për zbardhjen e plotë të saj.