
Një incident është raportuar mbrëmjen e 21 shtatorit në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, pas mbërritjes së një fluturimi nga Cyrihu.
Rasti ka ndodhur rreth orës 19:45, në platformën 201 B, ku ndodhej aeroplani që kishte ardhur nga Zvicra.
Sipas informacioneve të publikuara nga Sinjali, një udhëtar 25-vjeçar dyshohet se fillimisht kishte krijuar probleme gjatë fluturimit dhe situata më pas kishte vazhduar edhe pas mbërritjes në Aeroportin e Prishtinës.
Personi i dyshuar, i identifikuar me inicialet L.B., shtetas zviceran, dyshohet se ka tentuar ta godasë një punëtor të Aeroportit, i cili kishte detyrën e mbikëqyrësit të platformës.
Pas incidentit, 25-vjeçari është shoqëruar në zyrën e Policisë në Aeroport, ku janë zhvilluar procedurat e nevojshme lidhur me rastin.
Gjatë këtyre procedurave, të dyshuarit i është matur edhe niveli i alkoolit në organizëm. Sipas informacioneve të raportuara, rezultati ka qenë 1.23 promil.
Për rastin është njoftuar edhe prokurori kujdestar i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Sulmi”.
Pas përfundimit të procedurave policore, L.B. nuk është dërguar në mbajtje, por është liruar dhe rasti ndaj tij do të vazhdojë në procedurë të rregullt.
