LAJME / E Enjte 1 Maj 2025, 15:03

I vendosi tritol shtëpisë së tij për të përfituar azil, arrestohet 43-vjeçari dhe nipi i tij në Elbasan

Një ngjarje e pazakontë u shënua mesnatën e kaluar në lagjen “Partizani” të Elbasanit, ku një shpërthim me lëndë eksplozive para një banese rezultoi të ishte i inskenuar nga vetë i zoti i shtëpisë, me qëllim përfitimin e azilit në një nga vendet e Bashkimit Evropian.

Policia e Elbasanit ka zbardhur ngjarjen brenda pak orësh, falë veprimeve të shpejta hetimore dhe informacionit të siguruar nga inteligjenca informative. Operacioni policor u kodua me emrin “Inskenimi”, dhe çoi në arrestimin e dy personave shtetasi Arbër Pepa, 43 vjeç, dhe nipi i tij E. T., 18 vjeç.

Sipas Policisë, dyshohet se Arbër Pepa, në bashkëpunim me nipin e tij, ka vendosur lëndë plasëse para banesës, për të simuluar një akt kriminal që do të shërbente si justifikim për kërkesë azili. Nga shpërthimi u shkaktuan vetëm dëme materiale, pa të lënduar.

Të arrestuarit po përballen me akuza për “Shkatërrim prone me eksploziv” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Dosja e tyre i është referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme ligjore.