
Me vendim të Këshillit të Ministrave, ditën e sotme është vendosur ngritja e Këshillit të Mbështetjes së Projekteve, i ngritur pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.
Po ashtu, me këtë vendim të Këshillit të Ministrave janë miratuar kushtet dhe kërkesat për financimin e projekteve, dokumentacionin dhe procedurën e shqyrtimit dhe vlerësimit të projekteve për lojërat e fatit.
Ky Këshill i Posaçëm do të kryesohet nga zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, ndërsa anëtarë do të jenë edhe titullarët e disa ministrive dhe institucioneve të tjera.
Këshilli do të vendosë po ashtu se cilat projekte përfitojnë para (megjithëse nuk përcaktohet nëse do të financohen nga shteti dhe për çfarë arsyeje), bazuar në aplikime dhe konkurrim të hapur. Projektet duhet të aplikojnë brenda një afati minimal 30 ditë dhe do të përzgjidhen sipas transparencës dhe kapaciteteve për zbatim.
Financimi do të jepet me këste: një pjesë në fillim, pjesa më e madhe gjatë zbatimit dhe pjesa e fundit në fund të projektit:
20% e shumës së miratuar jepet fillimisht pas miratimit të projektpropozimit;
50% jepet pas dorëzimit dhe miratimit të raportit të monitorimit të performancës së projektit;
30% e fundit e fondeve jepet pas miratimit të raportit final të projektit.
Nëse projekti nuk zbatohet si duhet, fondet do të kthehen. Gjithashtu, do të ketë kontroll dhe monitorim të vazhdueshëm.
Ndërkohë subjekti fitues, mban përgjegjësi të plotë për zbatimin e projektit dhe për raportimin para Këshillit, duke dorëzuar raportin e monitorimit të performancës së projektit, në përfundim të çdo faze financimi, por jo më vonë se çdo 6 muaj
