LAJME / E Hënë 28 Prill 2025, 18:06

Gruaja e 58-vjeçarit në Vlorë rrëfen momentet e atentatit

Klodiana Rakipaj, bashkëjetuesja e 58-vjeçarit Renato Hoxhaj, i vrarë mëngjesin e së dielës në Vlorë, ka rrëfyer për Euronews Albania momentet dramatike të ngjarjes së rëndë.

Rakipaj tha se ka qenë në banesë me Hoxhajn përpara se ai të largohej për të pirë kafe.

Ajo shton se pak minuta pas daljes së të shoqit dëgjoi të shtëna armësh, për të cilat fillimisht mendoi se ishin fishekzjarrë.

“Kur dola, pashë trupin e tij të pajetë në shesh, të mbuluar me gjak. Bërtita me të madhe dhe kërkova ndihmë. Kur nuk mora përgjigje, zbrita poshtë dhe njoftova policinë,” tha ajo, duke shtuar se ende është e terrorizuar nga ngjarja.

Ajo thekson se Renato Hoxhaj ishte një njeri pa probleme, apo konflikte konflikt, qoftë personale, pronësore apo brenda familjes.

Sipas saj, pak çaste para vrasjes, viktima qëndronte i heshtur dhe fliste shumë pak.

Në dëshminë e saj, Rakipaj shton se tashmë ka mbetur pa strehë, pasi pas ngjarjes së rëndë nuk mund të qëndrojë më në banesën ku jetonte me 58-vjeçarin.

“Nuk kam ku të jetoj,” përfundoi ajo e tronditur.