LAJME / E Premte 29 Maj 2026, 12:12

Gjermania dhe Holanda mesazh të fortë Ramës: Nuk ka BE nëse pengohet puna e SPAK

Gjermania dhe Holanda kanë dërguar një sinjal të qartë për qeverinë shqiptare në kuadër të Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-BE, duke theksuar se procesi i integrimit europian nuk mund të ecë përpara pa rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe respektim të plotë të pavarësisë së drejtësisë.

Në një deklaratë të përbashkët, ambasadori gjerman Karl Bergner dhe ambasadori holandez Reinout Vos vlerësuan progresin e Shqipërisë në përmbushjen e objektivave të ndërmjetme për grupkapitullin “Themelorët”, por paralajmëruan se rruga drejt BE-së kalon përmes reformave reale dhe jo vetëm deklaratave politike.

“Respektimi i pavarësisë së drejtësisë dhe lufta pa pengesa e korrupsionit edhe në raste të nivelit të lartë janë kushte të panegociueshme për progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Këtu bën pjesë edhe fakti që vendimmarrjet lidhur me heqjen e imunitetit duhet të jenë në harmoni me rekomandimet e Komisionit të Venecias”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Gjermanisë dhe Holandës.

Mesazhi shihet si një sinjal i drejtpërdrejtë për mazhorancën dhe mënyrën se si janë trajtuar disa raste të fundit që lidhen me hetimet ndaj zyrtarëve të lartë, përfshirë debatet për heqjen e imunitetit të funksionarëve të qeverisë.

Dy vendet europiane theksuan se Bashkimi Europian do të monitorojë nga afër çdo zhvillim në Shqipëri dhe se respektimi i sundimit të ligjit mbetet kusht kyç për mbylljen e negociatave.

“Shtetet anëtare të Bashkimit Europian kanë përcaktuar qartë pritshmëritë ndaj Shqipërisë në Deklaratën e Përbashkët, duke i konsideruar ato kushte kyçe për përmbylljen e negociatave të anëtarësimit. Gjermania theksoi se do të ndjekë me vëmendje zhvillimet në vend dhe do të vijojë të mbështesë procesin e reformave dhe forcimin e institucioneve”, thuhet më tej në reagim.

Në deklaratë, Berlini dhe Haga nënvizojnë se përmbushja e objektivave të grupkapitullit “Themelorët” është vetëm fillimi i një faze edhe më të vështirë për Shqipërinë.
“Një shtet ligjor i fortë, mbrojtja e të drejtave themelore dhe një demokraci pluraliste janë thelbi i vlerave europiane. Kësisoj, hapat përpara në lëmin e ‘Fundamentals’ përcaktojnë shpejtësinë e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së. Dakordësia për IBAR-in është shprehje e pritshmërisë dhe inkurajimit tonë të qartë për vijimin e reformave, zbatimin e tyre me vendosmëri në praktikë dhe konsolidimin e institucioneve përgjegjëse”, theksojnë ambasadat.

Deklarata e dy vendeve vjen në një moment kur qeveria shqiptare po e paraqet Konferencën e 8-të Ndërqeveritare si një sukses të madh politik dhe diplomatik, ndërsa nga ana tjetër partnerët europianë po insistojnë që përparimi drejt BE-së të shoqërohet me rezultate konkrete në drejtësi, luftën ndaj korrupsionit dhe mbrojtjen e institucioneve të reja si SPAK, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE