
Një ditë e trishtë është kjo e kësaj të marte për arsimin në Mat, Kurbin dhe në të gjithë Shqipërinë. Miq, familjarë, kolegë dhe nxënës i dhanë sot lamtumirën e fundit profesorit Xhelal Toçi, njeriut që për dekada të tëra i fali shpirtin shkollës dhe nxënësve të saj.
I lindur në Barbullej të Matit, profesor Xhelali u rrit me frymën e dijes dhe përkushtimit. Pas përfundimit me rezultate të shkëlqyera të shkollës së mesme në Gjuhët e Huaja në Tiranë (1972–1976), ai ndoqi studimet universitare në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, dega Anglisht, ku u diplomua në vitin 1980. Pa u ndalur, pa kërkuar ndonjë rrugë më të lehtë, ai u kthye në vendlindje për të dhënë mësim, fillimisht si mësues anglishteje dhe më pas edhe i gjuhës shqipe. Aty ku kishte nisur rrugëtimin e tij, aty zgjodhi të kontribuonte, me bindjen se dija dhe dashuria për fëmijët janë forca që ndryshojnë botën.
Nga Shëlli e Macukulli, në Dukagjin e Derjan të Matit, e më pas në Laç të Kurbinit, profesori la pas gjurmë të thella. Në vitin 1992, u bë pjesë e stafit pedagogjik të shkollës së mesme “At Shtjefën Gjeçovi” në Laç, ku breza të tërë do ta kujtojnë si mësuesin e përkushtuar, që nuk lodhej kurrë së shpjeguari, së dëgjuari dhe së kujdesuri.
Për më shumë se 25 vite, ai shërbeu si Specialist i Arsimit dhe Inspektor në Zyrën Arsimore Kurbin, duke dhënë një kontribut të çmuar në formimin e mësuesve dhe drejtuesve të shkollave. Ishte një pikë referimi për kolegët e tij, një zë i qetë dhe i mençur që dinte të udhëhiqte me profesionalizëm dhe integritet.
Formimi i tij nuk u ndal asnjëherë, pasi për vite me radhë zgjodhi që të merrte pjesë në trajnime kombëtare dhe ndërkombëtare, që nga Tirana e deri në Kembrixh, ku thelloi njohuritë në metodat bashkëkohore të mësimdhënies dhe edukimit. Ishte pjesë e seminareve për edukimin global dhe të drejtat e fëmijëve në shkollë, duke treguar se arsimi nuk është vetëm dije, por edhe kulturë qytetarie dhe ndjeshmëri njerëzore.
Kontributi i profesor Xhelalit nuk u kufizua vetëm në klasë. Ai ishte aktiv në shoqërinë civile, koordinator në organizata që punuan për mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve si “Ndihmoni Fëmijët” dhe “Vizione të Reja”. Ishte autor dhe përkthyes i veprave me vlerë, ndër to edhe përkthimi i romanit “Viti i Emilisë” nga autori amerikan Charles Merrill, si dhe publikimi i punimit “Bordi i Shkollës, Eksperienca në Angli dhe Shqipëri”, duke dëshmuar se pasioni për dijen e ndante me të gjithë.
Sot, me humbjen e profesor Toçit arsimi është më i varfër dhe ikja e tij e parakohshme ka lënë një boshllëk të madh te të gjithë ata që patën fatin ta njohin, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
