LAJME / E Premte 4 Korrik 2025, 09:09

E kujtoni policin që vr*u Klodian Rashën në karantinë? Nuk e besoni ç’ka ndodhur sot me te

Pas gati 5 vitesh nga një prej ngjarjeve më të rënduara që tronditi opinionin publik shqiptar, Gjykata e Lartë ka dhënë vendimin përfundimtar në çështjen penale ndaj ish-efektivit të forcave “Shqiponja”, Nevaldo Hajdaraj, i akuzuar për vrasjen me dashje të 25-vjeçarit Klodian Rasha.

Me këtë vendim, Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e paraqitur nga Hajdaraj, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit, e cila e kishte shpallur fajtor për vrasje me dashje dhe e kishte dënuar me 18 vite burg. Por për shkak të përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, Hajdaraj do të vuajë 12 vite burgim efektiv.

Po ashtu, u rrëzua edhe rekursi i Prokurorisë, e cila kishte kërkuar dënimin maksimal prej 20 vitesh dhe mospranimin e gjykimit të shkurtuar, duke pretenduar se rrethanat e veçanta të ngjarjes nuk përmbushnin kushtet për këtë procedurë. Por Gjykata e Lartë nuk i pranoi këto argumente dhe i qëndroi vendimit të Apelit.

Si ndodhi vrasja e Klodian Rashës?
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të 8 dhjetorit 2020 në Tiranë, gjatë orës policore të vendosur për shkak të pandemisë. Klodian Rasha, një 25-vjeçar që po ecte në rrugë pranë banesës së tij, u qëllua për vdekje nga efektivi Nevaldo Hajdaraj.

Sipas akt-ekspertimit dhe pamjeve filmike të sekuestruara nga Prokuroria e Tiranës, Rasha ishte në ikje e sipër, ndërsa Hajdaraj kishte hapur zjarr nga një distancë prej 4–5 metrash. Në një moment, ish-polici u shtri në trotuar dhe qëlloi dy herë me armën e shërbimit, një nga plumbat duke e goditur viktimën në shpinë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Ngjarja shkaktoi reagime të forta në publik dhe në politikë. Mijëra qytetarë dolën në protestë në ditët që pasuan, duke kërkuar drejtësi për të riun dhe duke denoncuar dhunën policore. Si pasojë e presionit publik, atëherë-ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dha dorëheqjen.

Babai i Klodian Rashës: “Drejtësia është e verbër”
Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, babai i Klodian Rashës, Qazim Rasha, është shprehur i zhgënjyer. Ai e cilësoi dënimin si “të butë” dhe tha se “drejtësia shqiptare ka zgjedhur të mbyllë sytë përballë një vrasjeje të qartë, të dokumentuar dhe të rëndë”.

“Për një jetë të marrë padrejtësisht, për një djalë që nuk mbante armë, që vraponte për të shpëtuar, për një veprim që shkatërroi familjen time, 12 vite janë një tallje. Ky është një dënim për të larë ndërgjegjen e shtetit, jo për të dhënë drejtësi”, u shpreh ai për mediat.

Mbyllet procesi penal, por jo dhimbja publike
Me vendimin e Gjykatës së Lartë, mbyllet përfundimisht procesi penal ndaj Nevaldo Hajdarajt, duke i dhënë fund një sage gjyqësore që la plagë të thella në shoqërinë shqiptare. Megjithatë, debati për përdorimin e forcës nga strukturat e rendit, abuzimin me armën e shërbimit dhe mungesën e transparencës në rastet e ngjashme mbetet ende i hapur.

Ngjarja e dhjetorit 2020 u shndërrua në një simbol të pakënaqësisë ndaj sistemit të drejtësisë dhe strukturave shtetërore, ndërsa emri i Klodian Rashës vazhdon të përmendet në çdo protestë ku kërkohet llogaridhënie për jetën e qytetarëve përballë autoritetit të shtetit, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE