LAJME / E Enjte 23 Prill 2026, 22:10

"DETI MBETE I YNI!" Athina kundërshton Ramën për detin: Nuk e kemi më prioritet, faji juaj që e rrëzuat paktin e 2009

Mediat greke shkruajnë se Athina nuk është shumë e interesuar për çështjen e detit dhe se nuk ka asnjë progres që rasti të shkojë në Hagë…

Athina duket se e ka lënë thatë Edi Ramën, sa i takon çështjes së detit. Kryeministri ishte dje në Greqi, bashkë me ministrin e Jashtëm Ferit Hoxha dhe të dy deklaruan se është rënë dakord mes të dyja palëve për të çuar përpara çështjet e pazgjidhura. Çështja e kufirit detar është një nga çështjet kryesore të mbetura pezull. Mirëpo, mediat e Athinës flasin ndryshe.

Sipas “Protothemës”, Athina është distancuar nga deklaratat e Edi Ramës, duke mohuar në thelb narrativën rreth një marrëveshjeje të afërt për ta çuar çështjen në Hagë.

Një burim i lartë diplomatik nënvizon për median greke se, pavarësisht faktit se çështja ka qenë në axhendën e të dy vendeve për një kohë të gjatë, procesi u “ngri” kur çështja shkoi në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë dhe më pas marrëveshja u anulua (Marrëveshja e vitit 2009).

“Ministria e Jashtme Greke thekson se diskutimi mbi delimitimin vjen nga e kaluara, por çështja ishte referuar në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë dhe aty u hoq dhe, për këtë arsye, është pala shqiptare ajo që duhet të vazhdojë me procedurat e nevojshme për të ndryshuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas të njëjtit burim, delimitimi i ZEE-së me Shqipërinë nuk është më ndër prioritetet e menjëhershme të diplomacisë greke, veçanërisht pas marrëveshjeve që janë arritur tashmë me vende të tjera në rajon, si Italia, por edhe zgjerimit të ujërave territoriale greke në Detin Jon”, thekson shkrimi.

Sipas “Protothemës”, strategjia e Athinës përqendrohet në zgjidhjen e përgjithshme të çështjeve dypalëshe, por askush nuk po konfirmon në këtë kohë se progresi i raportuar nga pala shqiptare do të ndodhë brenda vitit 2026.

“Nga pala greke, theksohet se nuk ka asnjë tekst mbi çështjet dypalëshe dhe çështjet e pazgjidhura që duhen zgjidhur midis Greqisë dhe Shqipërisë, siç deklaroi zoti Rama në intervistën e tij në Forumin Delphi”, vijon shkrimi.

Dje Rama, në Forumin e Delfit, dha sinjale pozitive për këtë çështje, teksa dhe Ferit Hoxha njoftoi se është rënë dakord për të ecur para, teksa pati dhe një drekë pune me homologun grek. Mirëpo, duket se dikush gënjen në këtë mes.

Republika e Shqipërisë dhe ajo e Greqisë, nënshkruan në 27.04.2009, Marrëveshjen ‘Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse’, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin, në bazë të së drejtës ndërkombëtare.

Partia Socialiste e Shqipërisë i kërkoi Gjykatën Kushtetuese përmes përfaqësuesve të autorizuar të saj, Saimir Tahiri, Damian Gjiknuri, Myslym Pashaj, të shqyrtonte pajtueshmërinë e saj me Kushtetutën. Padisë ju bashkangjitën edhe Partia Social-Demokrate, Partia Demokracia Sociale, Partia Demokristiane, Partia Ligj dhe Drejtësi dhe Partia G 99.

Gjykata Kushtetuese me Vendimin 15, datë 15.4.2010, e shfuqizoi marrëveshjen duke arritur në përfundimin e mëposhtëm.

“Gjykata çmon përfundimisht se marrëveshja e lidhur midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë “Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare”, është e papajtueshme me Kushtetutën sa i takon çështjeve lidhur me:

a) mospajisjen e delegacionit shqiptar me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e marrëveshjes;

b) mangësitë serioze në përmbajtjen e marrëveshjes;

c) moszbatimin e parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm”. /Pamfleti, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE